
Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës dorëzon padi kundër Agjencisë Kosovare për Akreditim
Oda e Fizioterapeutëve të Kosovës (OFTK) ka dorëzuar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër vendimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës (AKA) për akreditimin e programit Fizioterapi dhe Rehabilitim në Fakultetin e Mjekësisë të UP-së.
Në një konferencë për media, kryetari i OFTK-së, Feim Gashi, tha se vendimi i AKA-së përmban shkelje të shumta ligjore dhe nuk respekton asnjë standard apo rekomandim të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët kishin kërkuar që emërtimi i programit të jetë vetëm “Fizioterapi”.
Kryetari i OFTK-së, z. Feim Gashi, ka thënë se në këtë vendim janë bërë shkelje të shumta ligjore dhe nuk është respektuar asnjë kriter.
Gashi ka deklaruar se AKA-ja nuk i ka respektuar rekomandimet e ekspertëve të cilët kanë dhënë rekomandim obligues që të ndryshohet emri nga Fizioterapi dhe Rehabilitim, në vetëm Fizioterapi. Madje ky rekomandim është dashur të respektohet para se të fillojë implementimi i programit.
“Sot kemi dorëzuar një padi për kujdesin administrativ dhe kemi dorëzuar një kërkesë për masë të sigurisë drejtuar Agjencisë Kosovare për Akreditim, në lidhje me vendimin e nxjerrë për akreditimin e programeve fizioterapi dhe rehabilitim në UP, gjegjësisht në Fakultetin e Mjekësisë, ne kemi konsideruar se këta kanë bërë shkelje të shumta dhe nuk janë respektuar asnjë kriter sa i përket akreditimit të fizioterapisë dhe rehabilitimit. Për këtë arsye ne kemi shtruar të gjitha kërkesat drejt agjencisë, por te ta kemi gjetur një heshtje dhe nuk kanë marrë asnjë bazë asnjë kërkesë për anulimin apo për ndërprerjen e këtij programi në këtë formë. Ne si Odë e Fizioterapisë nuk jemi kundër UP-së, ne kemi hapur dyert e bashkëpunimit sa i përket programit të fizioterapisë, por jo me u akredituar në këtë formë duke mos respektuar asnjë standard ndërkombëtar, edhe vet ekspertët që kanë angazhuar agjencinë nuk janë vlerësuar, edhe pse në vendim thuhet se vendimi është marrë konform ekspertizës së ekspertëve ndërkombëtarë për vlerësimin e programit, ata nuk janë vlerësuar ekspert, ata kanë dhënë disa rekomandime të cilat nuk kanë qenë të zbatuara në vendim”, ka deklaruar Gashi.
Sipas tij, bartësit e programit nuk janë të profilit të fizioterapisë dhe mungojnë thirrjet akademike adekuate. OFTK ka kërkuar edhe masë sigurie për pezullimin e vendimit deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.
“Imagjinoni si mund t’i edukojë dikush studentët e në studimet e veta nuk ka mësuar asnjëherë fizioterapi. Madje njëri nga bartësit e programit nuk ka pasur as thirrje akademike Profesor Asistent. Pra në çdo aspekt janë shkelur udhëzimet administrative 2018, në të cilin është dashur të thirret AKA, por edhe udhëzimi administrativ i vitit 2024. Ata kanë krijuar paralelizma. Është njëjtë sikurse me u akreditu mjekësia e përgjithshme dhe trajtimi. Një mjek merret me trajtim. Apo një stomatolog me sëmundje të dhëmbit. Është e njëjta gjë”, ka thënë Gashi.
Avokati i OFTK-së, Florian Petani, ka deklaruar se vendimi i Agjencisë së Akreditimit për programin “Fizioterapi dhe Rehabilitim” përmban shkelje të rënda që rrezikojnë të shkaktojnë pasoja të pariparueshme për studentët.
“OFTK-ja ka vepruar si bartëse e të drejtave kolektive sepse në të ardhmen këta studentë kur do të diplomojnë në këtë program, duhet të paraqiten në OFTK për licencim. Dhe marrë parasysh emrin e këtij programi, licencimi i tyre ligjërisht do të jetë i pamundur sepse legjislacioni në fuqi nuk e njeh emërtimin e programit ose drejtimit të studimeve Fizioterapi dhe Rehabilitim, por vetëm Fizioterapi. Nuk ka ligj që lejon licencimin pas diplomimit dhe nuk është e qartë nëse këta do të jenë fizioterapeutë apo rehabilitator”, ka thënë Petani. /EO