Shkoi në Gjilan për bulevardin e qytetit, Haziri ia përmend Kurtit autostradën dhe stadiumin që s’u bënë kurrë
Foto: Laura Hasani

Shkoi në Gjilan për bulevardin e qytetit, Haziri ia përmend Kurtit autostradën dhe stadiumin që s’u bënë kurrë

Aktuale September 02, 2025 - 12:33

Kreu i Degës së LDK-së në Gjilan dhe ish-kreu i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka akuzuar Kurtin se për gjashtë vjet i ka përjashtuar Gjilanin dhe Anamoravën nga investimet. Sipas Hazirit, kudo që qeveria “Kurti” ka prekur, ka shkretuar.

Deputeti i LDK-së ka thënë se kryetari i Gjilanit në katër vjet s’ka arritur ta realizojë as edhe një projekt, derisa për projektin e sheshit të ri, Haziri ka thënë se quhet “Rizhvillim i bulevardit ‘Ibrahim Rugova’ dhe ka pyetur se pse nuk e kanë përmendur në asnjë rast Kurti e Hyseni.

Haziri ia ka kujtuar Kurtit dhe Alban Hysenit mosrealizimin e autostradës, stadiumit të qytetit dhe projekte të tjera që Haziri thotë se s’janë realizuar nga qeverisja e Alban Hysenit.

“Mashtrimi nuk kalon! Gjilanasit u dhanë një copë besimi, por e nëpërkëmbët për toke.

Arberi po vjen. LDK-ja, më 12 tetor, besë e shpresë!”, ka shkruar Haziri.

Postimi i plotë:

Për 6 vjet, Albin Kurti i përjashtoi Gjilanin dhe Anamoravën nga investimet – ku prekën, e shkretuan!

Për më keq, ai i ndali 114 milionë investime të zotuara nga ne. Për 4 vjet, bedeli i tij në Gjilan dështoi edhe në një projekt të vetëm.

Projekti quhet rizhvillimi i Bulevardit “Ibrahim Rugova”. Pse në asnjë rast nuk e përmendët?!

A keni tregu se çka bëni me shtatoret e Mulla Idriz Gjilanit, Kadri Zekës e Ramiz Cernices? Ku zhvendosen dhe pse duhet të zhvendosen? Nuk bëhet hajgare me qyetarët e gjallë e kurrë me shtatoret e kolosëve të vendit.

E tani?

Tani më 1 shtator në vend që fëmijët dhe prindërit të gëzohen me çerdhe të reja, hapësira shkollore apo vetë librat e garantuara, ata zgjodhën të mashtrojnë prapë. Para Kuvendit, filluan inaugurimin e rizhvillimit të një copë qendre në kundërshtim me PZHK-në dhe planet urbane. Pa leje pune dhe pa buxhet të garantuar, premtuan tunel nëntokësor në zemër të qytetit. Për më keq, paralajmëruan pa leje pune, pa leje rrënimi e ndërtimi, që vazhdojnë me mashtrim.

Duam Autostradën, Impinantin për trajtimin e ujërave të zeza, rrugën e Prishtinës, Parkun e Paqes, çerdhen në “Arbëri”, rrugen për Viti, rrugën e Kumanovës e shumë projekte tjera, të cilat i ndaluat në zbatim. Duhet të jepni llogari, përse nuk i keni bërë. Pse e dëmtuat deri në stërkeqje rrugën “Adem Jashari” dhe “Hamdi Kurteshi”? Ku keni prek, keni shkretu dhe e keni kthy Gjilanin në grope të zezë financiare e avari administrative. Këto janë vepra penale që nuk mund t’i shpëtoni me kohë.

Mos ta harrojmë Stadiumin e Qytetit, i cili do të duhej të ishte i gatshëm tashmë për Ligën e Konferencës.

Mashtrimi nuk kalon! Gjilanasit u dhanë një copë besimi, por e nëpërkëmbët për toke.

Arbëri po vjen. LDK, më 12 tetor, besë e shpresë!