Bërnabiqi i përgjigjet Plenkoviqit: Serbia nuk është në prag të luftës civile

Bërnabiqi i përgjigjet Plenkoviqit: Serbia nuk është në prag të luftës civile

Aktuale September 02, 2025 - 08:06

Pas deklaratës së kryeministrit Andrej Plenkoviq sot në Slloveni se "Serbia është në prag të luftës civile", ka reaguar në platformën "X" kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq.

"Plenkoviqi thotë se Serbia është në prag të luftës civile. E çfarë tjetër? Aq shumë e kanë dashur dhe aq shumë kanë investuar në këtë. E dinë që objektivi i tyre strategjik – që Aleksandar Vuçiq të mos jetë në krye të Serbisë – mund të përmbushet vetëm kështu. Për fat të keq për disa, dhe për fat të madh për Serbinë dhe shumicën e qytetarëve të saj, për gjithë popullin tonë, kjo as nuk është e vërtetë, as nuk do të ndodhë. Që ta parafrazoj një këngë tonën – kot ju shkuan paratë, o kushërinjtë e mi, kot ju shkuan të gjithë Dinkot dhe Milat... Librin e gatimit e përfunduat në plehra (edhe fjalë për fjalë)", shkroi Bërnabiqi në X.

Kujtojmë se kryeministri kroat Andrej Plenkoviq të hënën në Forumin Strategjik të Bledit shprehu një skepticizëm të caktuar se deri në vitin 2030 do të ndodhë zgjerimi i Bashkimit Evropian, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është e bllokuar, Serbia “në prag të luftës civile”, dhe Bosnja e Hercegovina nën kërcënim të vazhdueshëm të shkëputjes.

Plenkoviqi në panel përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë, duke thënë se kaloi “pa deklarata serioze apo artikulime nga askush në BE”.

“U sollëm sikur nuk ndodhi”, theksoi ai.

Plenkoviqi më vonë, në një deklaratë për gazetarët, sqaroi deklaratën e tij për “luftën civile”, duke thënë se "në Serbi pas ngjarjeve tragjike – masakrës në shkollën e Beogradit dhe rrëzimit të një tende në Novi Sad – është krijuar një ‘atmosferë’ ku protestat zgjasin tashmë më shumë se dy vjet, gjë që është ‘një gjendje që nuk është e zakonshme’”. /rtk