
Deliu-Kodra e quan akt të hapur jokushtetues, mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit, në mungesë të një nënkryetari, është akt i hapur jokushtetues dhe bie ndesh me standardet ligjore dhe institucionale të vendit.
Lidhur me këtë, ajo shtoi se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë se Kuvendi i Kosovës konstituohet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve të tij, pa lënë hapësirë për interpretime apo shmangie procedurale.
“Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë se Kuvendi i Kosovës konstituohet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe të gjithë nënkryetarëve të tij, pa lënë hapësirë për interpretime apo shmangie procedurale. Mbajtja e mbledhjes së sotme të Kryesisë, në mungesë të një nënkryetari, është akt i hapur jokushtetues dhe bie ndesh me standardet ligjore dhe institucionale të vendit”, ka shkruar Deliu-Kodra.
Tutje, deputetja thotë se kjo po ndodhë për shkak të zvarritjeve të qëllimshme të procesit nga koalicioni fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Kjo po ndodhë për shkak të zvarritjeve të qëllimshme të procesit nga koalicioni fitues, i cili, duke shmangur detyrimet kushtetuese, po e mban peng konstituimin e plotë të Kuvendit dhe funksionimin normal të institucioneve. Qytetarët kanë votuar për stabilitet dhe zhvillim, jo për bllokada dhe manovra politike që cenojnë demokracinë dhe sundimin e ligjit”.