
Basha zhvillon takim konsultativ me Osmanin
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka zhvilluar sot një takim konsultativ dhe njoftues me Presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Takimi është mbajtur pas përfundimit të seancës konstituive, ku Basha e informoi Presidenten për hapat e ndërmarrë deri tani dhe për proceset që duhet të vijojnë më tej.
Në njoftimin për media është bërë e ditur se dy krerët institucionalë theksuan rëndësinë e ecjes me dinamikën e paraparë kohore, në mënyrë që të mundësohet zgjedhja sa më e shpejtë e qeverisë së re, si dhe nevojën për funksionalitet institucional dhe stabilitet politik përballë sfidave të brendshme dhe ndërkombëtare.
Basha rikonfirmoi përkushtimin që Kuvendi të ushtrojë rolin e tij të plotë kushtetues, ndërsa Osmani ritheksoi gatishmërinë për bashkëpunim me të gjitha institucionet në të mirë të qytetarëve.