Bajrami: Arsimi në Kosovë ka degraduar, na duhet reformë rrënjësore
Foto: Laura Hasani

Bajrami: Arsimi në Kosovë ka degraduar, na duhet reformë rrënjësore

Aktuale September 01, 2025 - 12:39

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se gjendja aktuale në sektorin e arsimit në Kosovë për këto 11 vjet është vetëm degradim.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Bajrami ka ndarë një moment personal nga jeta e saj, duke e krahasuar fillimin e rrugëtimit shkollor të vajzës së saj me gjendjen e tanishme të arsimit në vend.

“Sot, 11 vjet më parë, unë, Nazi dhe Vlera e dërguam Stinën për në klasën e parë, në shkollën ‘Hasan Prishtina’ te mësuesja Zylfije Namani, tashmë e pensionuar. Sot, Stina e ka ditën e parë të vitit të fundit shkollor në shkollën e saj ‘Xhevdet Doda’. Kanë kaluar 11 vjet e për fat të keq arsimi në Kosovë ka pasur vetëm degradim”, ka shkruar ajo.

Deputetja theksoi se tashmë është bërë vonë që fokusi të kthehet te arsimi dhe se është e domosdoshme një reformë rrënjësore në këtë sektor.

“Tashmë është bërë vonë që fokusi të kthehet te arsimi. Ne na duhet reformë rrënjësore: investime në infrastrukturë dhe në materiale didaktike, trajnime për gjithë personelin arsimor e paga të dinjitetshme dhe për këtë duhet të kemi konsensus kombëtar”.

“Urime vitin e ri shkollor të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve!”, shkroi Bajrami.