
Mbrojtja e Thaçit e gatshme për gjykim në mars 2026: Po përballemi me kufizime në aftësinë për të hetuar
Në rastin kundër administrimit të drejtësisë, mbrojtja e Hashim Thaçit ka thënë se janë duke u përballur me kufizime në aftësinë për të kryer hetime.
“Siç është shpjeguar në kërkesën drejtuar Gjykatësit të Procedurës Paraprake më 26 gusht 2025, Mbrojtja përballet me kufizime në aftësinë e saj për të hetuar, të cilat nuk ekzistojnë për ekipe të tjera mbrojtjeje ose për ZPS-në”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kjo, sipas mbrojtjes, edhe për shkak të kufizimeve që i janë vendosur Thaçit në çështjen për krime lufte.
“Këto kufizime vihen në lojë për Mbrojtjen për shkak të mbivendosjes së madhe midis dëshmitarëve të ZPS-së në çështjen aktuale dhe dëshmitarëve të ZPS-së në Çështjen 06. Siç u paralajmërua në parashtresën e Mbrojtjes më 26 gusht 2025, Mbrojtja do të kërkojë që kufizimet e Çështjes 06 të ndryshohen. Megjithatë, deri në miratimin e një kërkese të tillë nga Paneli i Gjykimit II, Mbrojtja është ndjeshëm e penguar në hetimet që është në gjendje të ndërmarrë”, thuhet në parashtresën e dorëzuar më 29 gusht 2025 nga avokatja Sophie Menegon.
Përveç kësaj, Menegoni thotë se Thaçi po përballet me sfida si rezultat i zhvillimit të dy procedurave paralele ndaj ti. Po ashtu, sipas avokates, çështja e mbrojtjes së Thaçit në rastin për krime lufte do të fillojë më 15 shator dhe kjo do ia marrë të akuzuarit thuajse të gjithë kohën për t’u përgatitur.
Sipas saj, ky proces pritet të vazhdojë edhe gjatë nëntorit, e që procedurat pritet të vazhdojnë edhe më pas.
Përveç kësaj, mbrojtja ka thënë se disa çështje që janë jashtë kontrollit të mbrojtjes vazhdojnë të kenë ndikim të madh në përgatitjen e saj për gjykim.
Gjithashtu, mbrojtja thotë se aftësia e tyre për t’u përgjigjur në pyetjet e gjyqtares së procedurës paraprake lidhur me këtë fazë të procesit dhe përgatitjes për gjykim, pengohet nga mungesa e qartësisë lidhur me natyrën çështjes kundër Thaçit. Mbrojtja pretendon se ka mangësi në aktakuzë dhe se ata nuk e kanë një përmbledhje të një pjese të aktakuzës ashtu siç e parashohin rregullat.
“Kjo rrjedh nga fakti se ZPS-ja fillimisht pretendoi se Thaçi ishte përgjegjës për kryerjen e veprave penale sipas nenit 401 (2) të Kodit Penal të Kosovës dhe paraqiti një përmbledhje sipas Rregullës 86 (3) në mbështetje të një pretendimi të tillë, ndërkohë që aktakuza e konfirmuar ngarkon për tentativa veprash sipas nenit 401 (2), dhe ZPS nuk ka paraqitur asnjë përmbledhje sipas Rregullës 86 (3) lidhur me përgjegjësinë për tentativë. Kësisoj, jo vetëm që Mbrojtja nuk është në dijeni për cilat prova mbështetet ZPS-ja për të demonstruar këtë tentativë, por nuk di as se cili veprim i Thaçit pretendohet se ka përbërë një tentativë”, thuhet në parashtrimin e mbrojtjes.
Si rrjedhojë, mbrojtja thotë se pret që të jetë në një pozitë më të mirë për të vlerësuar nevojat e saj hetimore pas pranimit të parashtrimeve paraprake të Prokurorisë, listës së provave dhe listës së dëshmitarëve. Por, sipas mbrojtjes, aftësia e tyre për të kryer hetime në mënyrë të drejtë mbetet e kushtëzuar nga një vendim i trupit gjykues në rastin për krime lufte lidhur me ndryshimin e kornizës për kontaktimin e dëshmitarëve.
Në anën tjetër, mbrojtja thotë se nuk është në gjendje që të marrë qëndrim sa i përket pranueshmërisë së provave nga Prokuroria.
Po ashtu, sipas tyre, në këtë fazë ata nuk do të mbështeten në ndonjë bazë përjashtuese të përgjegjësisë penale, por që kjo varet kryesisht nga zbulimet e mëtejshme të Prokurorisë.
Mbrojtja rikujtoi se ka dy mocione në Apel dhe se derisa të zgjidhen ato, nuk ka mundësi që lënda t’i bartet trupit gjykues. Ndërsa, për fillimin e gjykimit, mbrojtja ka thënë se është e gatshme të fillojnë më 2 mars 2026.
“Mbrojtja aktualisht pret të jetë gati për gjykim më 2 mars 2026. Është thelbësore për Mbrojtjen që gjykimi në çështjen aktuale të mos fillojë deri pas përfundimit të argumenteve përmbyllëse në Çështjen 06”, thuhet në parashtrim.
Përveç kësaj, u njoftua se bashkë-avokati i Thaçit në këtë rast ka angazhime dhe nuk do të jetë i disponueshëm nga 13 deri më 23 shkurt dhe nga 1 deri më 24 prill 2026.
Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Ndërsa, lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DHSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DHSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.