
Kushtetuesja e konfirmon se pranoi ankesën e Listës Serbe për çështjen e nënkryetarit
Ngërçi politik e institucional në Kosovë duket se do të zgjasë shumë më shumë sesa kemi menduar.
Pavarësisht se në Kuvendin e Kosovës u votua për Dimal Bashën si kryekuvendar, çështja e konstituimit të Kuvendit nuk ka përfunduar.
Kjo pasi procesi tanimë ka ngecur në zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka konfirmuar për lajmi.net pranimin e ankesës së Listës Serbe në lidhje me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Lista Serbe ka dorëzuar ankesën në mënyrë elektronike me datë 30 gusht, saktësisht të shtunën.
Kjo u tha nga Gjykata Kushtetuese - duke mos u dhënë detaje shtesë se sa kohë do t’u nevojitet për shqyrtimin e kësaj ankese.
“Kërkesa e përfaqësuesve të Listës Serbe është dorëzuar në mënyrë elektronike në Gjykatë të shtunën, më 30 gusht 2025”, u tha në përgjigje.
Lista Serbe pati njoftuar publikisht se do të ankohen në lidhje me situatën e krijuar në Kuvend për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.
Në tri vazhdime të seancës kandidatët e këtij komuniteti nuk arritën të siguronin 61 votat e nevojshme.
Sipas Rregullores së Punës të Kuvendit, seanca konstituive përfundon vetëm me zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve.
Në Nenin 67 të Kushtetutës thuhet se Kuvendi duhet të ketë kryetarin dhe pesë nënkryetarë.
Katër nënkryetarë – tre nga komuniteti shqiptar dhe një nga pakicat joserbe – u zgjodhën më 26 gusht, së bashku me kryetarin.
Ndërkohë, të nëntë kandidatët e Listës Serbe dhe kandidati i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dështuan të marrin votat e mjaftueshme.
Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit.
Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator.