
Lushaku-Sadriu: Shpallja e Kuvendit të konstituuar është jokushtetuese
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar shpalljen e Kuvendit si të konstituuar nga ana e kryetarit Dimal Basha, duke e cilësuar këtë veprim si jokushtetues.
Në një konferencë për media, Lushaku-Sadriu deklaroi se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar derisa nuk është kompletuar Kryesia e tij dhe për rrjedhojë, ai nuk mund të funksionalizohet plotësisht.
Deputetja njoftoi gjithashtu se LDK-ja nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e thirrur për sot nga Kryesia e Kuvendit, duke argumentuar se ajo është thirrur në mënyrë të pabazë ligjore dhe institucionale.
LDK-ja ka kërkuar të respektohen të gjitha procedurat kushtetuese për konstituimin e plotë të Kuvendit dhe funksionalizimin e tij në përputhje me rregulloren dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“I kemi bërë thirrje partisë së parë të mos bëjë propozime që nuk janë në harmoni me Kushtetutën. Në këtë frymë ka qenë edhe seanca e fundit – në atë seancë, pa u kompletuar Kryesia, është shpallur Kuvendi i konstituuar. Në mbledhjen që është thirrur nga kryetari i Kuvendit nuk do të marrim pjesë, pikërisht për të shprehur pakënaqësinë për shpalljen e konstituimit, edhe pse nuk është zgjedhur Kryesia”, tha ajo.