
Sot takimi konsultativ i Kryesisë së Kuvendit, thirrja e Bashës kundërshtohet nga PDK-ja e LDK-ja
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thirrur për sot një mbledhje të Kryesisë së re të Kuvendit, ndonëse ky organ ende nuk është konstituuar plotësisht.
Mbledhja pritet të mbahet në orën 13:00 dhe është cilësuar si takim konsultativ, sipas njoftimit të shpërndarë nga zyra për media e Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, kjo thirrje po përballet me kundërshtime politike.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në mbledhje, duke e cilësuar atë si antikushtetuese për shkak se kryesia nuk është kompletuar me të pesë anëtarët e saj, siç parashihet me Kushtetutë.
Deri më tani, janë zgjedhur katër nënkryetarë të Kuvendit: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, Vlora Çitaku nga PDK-ja, Kujtim Shala nga LDK-ja dhe Emilja Rexhepi nga komunitetet joshumicë, përveç atij serb.
Përfaqësuesi i komunitetit serb nuk është zgjedhur ende, duke lënë kështu një vend vakant në kryesi.
Dimal Basha, i cili u zgjodh kryetar i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, deklaroi të shtunën se janë shterur të gjitha opsionet për zgjedhjen e anëtarit të mbetur duke e konsideruar të përfunduar seancën konstituive.
Mbledhja e sotme vjen në një kohë të tensionuar politike me debate për legjitimitetin e vendimeve pa një kryesi të plotë, ndërsa mbetet të shihet nëse do të ketë hapa të mëtejshëm për zgjidhjen e kësaj situate.