Fëmijët s’mund të regjistrohen në shkollë e çerdhe pa u vaksinuar
Foto: Zëri / Ilustrim

Fëmijët s’mund të regjistrohen në shkollë e çerdhe pa u vaksinuar

Aktuale August 31, 2025 - 22:06

IKSHPK-ja ka apeluar të prindër të vaksinojnë fëmijët në mënyrë që të regjistrojnë ata në shkollë. Kjo pasi nxënësit e pa vaksinuar nuk mund të hyjnë në klasë të parë e as të regjistrohen në çerdhe.

Çdo prind që dëshiron të regjistrojë fëmijën e tij në çerdhe apo në shkollë duhet që t’i përgjigjet kësaj pyetje.

Kjo pasi, fëmijët e tyre nuk mund të pranohen në institucione arsimore pa u vaksinuar.

Madje së fundmi Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, kërkoi nga prindërit ta bëjnë një gjë të tillë.

“Fëmijët që regjistrohen në çerdhe, kopshte dhe shkolla fillore duhet të pajisen me dëshmi të vaksinimit, që tregon se janë vaksinuar sipas moshës në momentin e regjistrimit. Kjo masë ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të gjithë komunitetit shkollor, duke parandaluar përhapjen e sëmundjeve ngjitëse dhe duke siguruar një mjedis të sigurt arsimor dhe edukativ për të gjithë”, thonë nga IKSHPK-ja.

Psikologia Selvie Tërrnava, e cila është pjesë e komisionit për regjistrimin e nxënësve në shkollën “Daut Bogujeci” në Fushë-Kosovë ka treguar sfidat që kanë hasur.

“Sivjet kemi pas numër më të vogël të fëmijëve që nuk kanë pas vaksinim. Por edhe në momentin që nuk ka pas vaksinim i kemi udhëzuar tek shtëpia e shëndetit e nëse e kanë arrit moshën e duhur ata e kanë marrë vaksinën fëmijëve. Kemi raste kur nuk janë të vaksionum por janë ose si rezultat i ndonjë alergjie apo terapie”, thotë Selvie Tërrnava – psikologe në shkollën “Daut Bogujevci”.

Por sipas sekretarit të kësaj shkolle, Betim Ahmetit, ky është viti i dytë ku nxënësve u është kërkuar vërtetimi që janë të vaksinuar.

“Ky është viti i dytë që ne kërkojmë nga prindërit që të kenë fëmijët të vaksinuar. Në vitin e parë kemi pasur vështirësi ka pasur prindër që nuk janë bindur fillimisht por tash në këtë vit nuk ka edhe shumë problem shumicë janë të informum”, thotë Betim Ahmeti, sekretar i shkollës “Daut Bogujevci”.

IKSHPK-ja gjithashtu ka bërë të ditur se prindërit që kanë pyetje apo nevojë për sqarime, mund të kontaktojnë Qendrën e Mjekësisë Familjare më të afërt për ndihmë dhe këshillim të mëtejshëm./teve1