Ekspertët: Moskonstituimi i plotë i Kuvendit ndikon në pasigurinë e vendit
Foto: Laura Hasani

Ekspertët: Moskonstituimi i plotë i Kuvendit ndikon në pasigurinë e vendit

Aktuale August 31, 2025 - 22:25

Të shtunën, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, mbylli punimet e seancës konstituive. Ai thirri zyrtarisht mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit, e cila pritet të mbahet nesër në orën 13:00.

Megjithatë, PDK-ja dhe LDK-ja kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në këtë mbledhje, duke e cilësuar ftesën të pakuptimtë, pasi sipas tyre Kuvendi ende nuk është konstituuar plotësisht.

Ndërkohë, derisa të përfundojë konstituimi i plotë i institucioneve, përfshirë edhe formimin e qeverisë së re, ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar për ndikimin që kjo situatë mund të ketë në rritjen e pasigurisë dhe mungesës së stabilitetit politik në vend.

Moskonstituimi i plotë i Kuvendit dhe çdo vonesë në funksionalizimin e tij deri te formimi i qeverisë së re, mund të ketë ndikim të madh në aspektin e sigurisë.

Kështu ka paralajmëruar eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

“Moskonstituimi i Kuvendit dhe Qeverisë ka impakte të mëdha. Nuk dua të flas në aspektin ekonomik, financiar dhe të integrimit, të cilat janë po ashtu të mëdha, por në aspektin e sigurisë ka impakte jashtëzakonisht të rënda. Kjo në kuptimin që fare nuk e kemi të mbikëqyrur sektorin e sigurisë. Kemi shumë borde që nuk janë të zgjedhura, komisionet funksionale të Kuvendit që mbikëqyrin FSK-në, Policinë dhe veçmas Inteligjencën. Mos-konstituimi i Kuvendit ka lidhje të drejtpërdrejtë me çështjen e sigurisë së Kosovës. Në një situatë hipotetike, nëse ndodh një gjendje e jashtëzakonshme ku Kuvendi duhet të miratojë propozimin e Presidentes, atëherë kjo mund të jetë një situatë mjaft e ndërlikuar”, tha Ibishi për RTK.

Kurse njohësi tjetër i fushës së sigurisë, Avni Islami, tregoi për pasojat e mundshme.

“Në aspektin e sigurisë nuk rrezikohet siguria e vendit, por shumë trajnime dhe donacione të ndryshme mbesin peng i moskonstituimit të Kuvendit, pasi ato duhet të ratifikohen qoftë në Kuvendin e Kosovës apo nga Qeveria që do të dalë me kompetenca të plota nga ana e Kuvendit të Kosovës”, tha Islami.

Ekspertët e sigurisë theksojnë rëndësinë e funksionalizimit të plotë si një domosdoshmëri për shumë aspekte jetike për vendin.