Votimi për nënkryetarin serb mban peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Votimi për nënkryetarin serb mban peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Aktuale August 28, 2025 - 14:21

Deputetët u mblodhën të enjten për ta përmbyllur konstituimin e Kuvendit me zgjedhjen e nënkryetarit të pestë dhe të fundit të tij.

Megjithatë, ata dështuan sërish ta votonin nënkryetarin nga pakica serbe, duke e nxitur kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, ta ndërpriste seancën.

Pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – nuk hoqi dorë nga kandidimi i Sllavko Simiqit për nënkryetar, kryetari Basha i hodhi në votim përmes shortit pesë prej nëntë deputetëve të saj. Secili prej tyre mori zero vota.

Më pas, shorti i ra Nenad Rashiqit, deputetit tjetër serb në Kuvendin e Kosovës, i cili nuk përkrahet nga Lista Serbe.

Rashiq është kryetar i partisë serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, dhe njëri i afërt me kreun e Lëvizjes Vetëvendosjes dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Rashiq – i cili nuk ishte votuar as në seancën e kaluar – i mori 56 vota për, 1 kundër, ndërsa 20 deputetë abstenuan.

Kjo nënkupton se Rashiq ka të drejtë të nxirret në votim vetëm edhe një herë.

Kjo bëri që kryetari Basha ta ndërpriste seancën, për vazhdimin e së cilës do të njoftojë më vonë administrata e Kuvendit.

Basha tha se e ndërpreu seancën për t’i thirrur në diskutime partitë e tjera parlamentare për ta votuar Rashiqin.

“Sa për njohurinë tuaj, jeni edhe dëshmitarë, [Rashiqi] është i vetmi deputet që po merr më së shumti vota për. Pra, teoria e gjasave që të zgjidhet nga komuniteti serb, gjasat më të mëdha i ka Nenad Rashiq, prandaj unë e mbylli këtë seancë këtu dhe i vazhdojmë diskutimet mes grupeve parlamentare që ta votojnë deputetin Nenad Rashiq”, tha ai.

Deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi pas seancës së Kuvendit të Kosovës se po shkelen të drejtat themelore të njeriut të komunitetit serb, rendi kushtetues dhe Rregullorja e punës së Kuvendit.

Për këto shkelje të pretenduara, Lista Serbe njoftoi se do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. /rel