
“Dekor në lista, jo lidere në komuna”, pse partitë politike nuk i promovojnë më shumë gratë për zgjedhjet lokale?
Në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2025, partitë politike kanë finalizuar dhe zyrtarizuar listat e tyre me kandidatë për kryetarë dhe anëtarë të asambleve komunale. Megjithatë, në këto lista vihet re një përfaqësim i ulët i grave që kandidojnë për poste udhëheqëse në komunat e vendit. Për zgjedhjet e 12 tetorit, janë zyrtarizuar shumë pak kandidate gra, duke treguar ende sfidat në rrugën drejt barazisë gjinore në politikë.
Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), ka analizuar kandidaturat duke theksuar tutje se subjektet politike në Kosovë ende funksionojnë në një mjedis ku dominojnë më së shumti burrat.
“Subjektet politike në Kosovë ende funksionojnë brenda strukturave të brendshme të dominuara nga burrat. Vendimmarrja është e centralizuar dhe shpesh e mbyllur për gratë, duke i lënë ato jashtë garave për pozitat më të larta, si kryetare komunash. Kjo tregon qartë se partitë nuk e shohin përfaqësimin e grave në nivelin ekzekutiv lokal si prioritet, por më shumë si një obligim formal në listat për kuvendet komunale”, ka deklaruar ajo.
E pyetur se a ka ndonjë mekanizëm ligjor që obligon përfaqësim gjinor në zgjedhjet lokale, ajo tha se po kjo është e rregulluar.
“Po, ekziston mekanizmi ligjor për kuotat gjinore. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parasheh që në listat për asambletë komunale duhet të ketë përfaqësim minimal prej 30% të gjinisë së nën-përfaqësuar. Megjithatë, kjo nuk zbatohet për kandidaturat për kryetarë komunash, ku partitë ende zgjedhin vetëm kandidatë burra”, theksoi ajo.
Shabiu tha se edhe në këto zgjedhje lokale, pjesëmarrja e grave mbetet e ulët.
“Në këto zgjedhje, numri i grave kandidate për kryetare komune mbetet shumë i ulët. Kjo tregon se, përkundër diskursit për avancim të barazisë gjinore, nuk ka pasur progres të prekshëm në hapjen e partive politike për t’u dhënë grave hapësirën e nevojshme për lidership”, ka pohuar ajo.
Shabiu për Telegrafin ka folur edhe për disa nga arsyet kryesore që partitë politike nuk promovojnë më shumë gra në pozita udhëheqëse.
“Arsyet kryesore janë të lidhura me mentalitetin patriarkal dhe strukturat hierarkike të partive, të cilat i shohin gratë më shumë si kandidate për lista “plotësuese”, e jo si udhëheqëse të komunave. Ka mungesë të vullnetit politik dhe të strategjive afatgjata për fuqizimin e grave brenda partive. Shpesh, gratë nuk marrin mbështetjen politike, financiare dhe logjistike që u jepet burrave për të kandiduar”, nënvizoi ajo.
Përfaqësimi i ulët i grave në politikbërjen lokale mund të këtë disa pasoja.
“Përfaqësimi i ulët i grave në politikën lokale ka pasoja të drejtpërdrejta në politikëbërje. Pa gra në lidership, perspektivat e grave dhe vajzave në komunitet nuk reflektohen në agjendën politike, çka krijon boshllëqe serioze në politikat lokale për shërbime publike, barazi dhe zhvillim social. Për më tepër, mungesa e grave në udhëheqje dërgon mesazhin e gabuar për gjeneratat e reja se udhëheqja mbetet kryesisht fushë e burrave. Kjo e ngadalëson procesin e demokratizimit dhe e dobëson përfaqësimin gjithëpërfshirës”, tha tutje Shabiu.
Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka përfshirë vetëm një grua në listën e saj të kandidatëve për kryetarë të komunave. Bëhet fjalë për Egzona Terdevcin, e cila garon në komunën e Drenasit, duke synuar të sjellë një fitore për subjektin e saj në këtë komunë.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka vetëm një kandidate grua, Ariana Hasani, ajo garon për fitore në Zubin Potok.
Partia Demokratike e Kosovës ka përfshirë tri gra në listën e saj, Arta Vokshi Nallbani, kandidate për komunën e Pejës, Jona Arifi për komunën e Kamenicës dhe Flutura Hamza për komunën e Mitrovicës së Veriut.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dy kandidate gra për kryetare komunash, Hafize Sallahu në Kaçanik, dhe Vildane Latifi në Fushë Kosovë.
Po ashtu, Partia Socialdemokrate, ka vendosur që në garë për Prishtinë të jetë Besa Shahini dhe Natyra Kuçi për Deçan.
Kurse, Nisma Socialdemokrate ka përzgjedhur Xhevahire Izmaku që të jetë kandidate për Vushtrri.
Zgjedhjet lokale në Kosovë, do të mbahen më 12 tetor 2025, dhe janë një moment kyç në procesin demokratik të vendit.