
Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike do të mbahet javën e ardhshme, fushata zgjedhore nis më 13 shtator
Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pritet që të bëhet javën e ardhshme.
Kështu ka deklaruar, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi.
“Sipas planit të KQZ-së, tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të bëhet më 3 ose 4 shtator 2025”, ka thënë Elezi, duke shtuar se për ditën dhe orën e saktë, do të njoftojnë me kohë.
Ai ka theksuar se për datën dhe orën e saktë do të njoftohet me kohë dhe se ky aktivitet do të zhvillohet në mënyrë të plotë transparente dhe në praninë e përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara.
“Ky aktivitet do të zhvillohet në transparencë të plotë si dhe në prezencë të përfaqësuesve të subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në këto zgjedhje”, ka thënë Elezi për Telegrafin.
Elezi ka bërë të ditur gjithashtu periudhën e fushatës zgjedhore, e cila do të fillojë më 13 shtator.
“Periudha e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale do të fillojë më 13 shtator dhe do të përfundojë më 12 tetor, në orën 06:59”, ka shtuar Elezi.
Ky është një hap i rëndësishëm drejt organizimit të zgjedhjeve të ardhshme lokale, ndërsa KQZ-ja po përgatitet për procesin me standarde të larta të transparencës dhe drejtësisë.