
Dimal Basha thotë se në punimin e Jana Arsovskas ai ka shkruar vetëm një kapitull
Një pamflet ka qarkulluar në media që pretendohet se fondet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës vinin nga trafikantë droge e autor i saj është kryetari aktual i Kuvendit, Dimal Basha.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar vetë Basha, i cili ka thënë se punimi që ka qarkulluar nuk është plotësisht i tij, veçse një kapitull, i cili trajton depërtimin e Islamit fundamentalist në Evropën Juglindore, me fokus Kosovën.
“Në lidhje me këtë çështje, tashmë është sqaruar për media edhe vet autorja Jana Arsovska, e cila ka dërguar një email demantues, dhe e ka bërë të qartë që unë kam dorëzuar për publikim vetëm Kapitullin 3 dhe mbaj përgjegjësi vetëm për përmbajtjen në atë kapitull”, thuhet në reagim.
Basha ndër tjera tha se e çmon lart luftën e UÇK-së dhe se i kërkon falje qytetarëve që janë shqetësuar nga ky raportim.
“Lus mediat që të raportojnë drejtë dhe saktë, e në veçanti për tema kaq të ndjeshme, që nuk lidhen vetëm me mua personalisht, por me tërë popullin e Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjera. /Zëri