PDK-ja në Gjilan dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit Alban Hyseni
Foto: Laura Hasani

PDK-ja në Gjilan dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit Alban Hyseni

Aktuale August 27, 2025 - 16:24

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)- Dega në Gjilan ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj lryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, sipas tyre, për shkak të shkeljeve të rënda të konstatuara në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2024.

PDK thotë se shkeljet e kryetarit Hyseni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, janë me dëme të konsiderueshme financiare dhe cenim të rëndë të parimeve të transparencës, ligjshmërisë dhe llogaridhënies në administratën komunale, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas reagimit të këtij subjekti politik në rrjetin social Facebook, kallëzimi penal bazohet në fakte të dokumentuara të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, devijimeve të kontratave publike mbi 1.28 milion euro, rialokimeve të paligjshme buxhetore dhe vonesave të pagesave që sipas tyre, kanë shkaktuar dëme shtesë prej mbi 523 mijë eurosh.

“PDK dega në Gjilan kërkon nga Prokuroria Speciale të veprojë me prioritet, në mënyrë që të garantohet ligjshmëria, llogaridhënia dhe mbrojtja e interesit publik”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PDK-së.

Sipas kallëzimit penal, gjetjet e përfshira në raportin e ZKA-së, përmbajnë elemente të mjaftueshme për ekzistimin e veprave penale.

“Keqpërdorimi i pozitës zyrtare për punësime pa procedure te Konkursit Publik: Janë evidentuar 102 raste të angazhimeve ne pozita t rregullta pa shpallje publike dhe jashtë çdo procesi te hapur dhe konkurrues, në kundërshtim me nenin 7 te Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publike”, thuhet në kallëzim penal.

Aty thuhet se ka pasur devijim të palejuar në kontrata publike në vlerë 1 milion e 280 mijë euro, mbi kufirin e lejuar prej +/-30%, në kundërshtim të rregullores për Prokurimin Publik, duke tejkaluar kompetencat ligjore dhe duke dëmtuar buxhetin publik.

Veç kësaj, në kallëzim penal thuhet se ka pasur edhe janë kryer pagesa për projekte në vlerë 138,714 euro pa aprovimin paraprak të Kuvendit Komunal, në kundërshtim me nenin 16, paragrafi 11 të Ligjit për Ndarjet Buxhetore, që sipas tyre, në katër pagesa të testuara në vlerë prej 138,714 euro, fondet e dedikuara për projekte kapitale janë devijuar dhe përdorur për projekte të tjera, duke anashkaluar procedurat ligjore për rialokim dhe ridestinim të mjeteve buxhetore.

“Si pasoje e këtyre veprimeve, disa projekte të planifikuara dhe të aprovuara nga Kuvendi Komunal kanë mbetur pa financim, duke u devijuar prioritetet e përcaktuara nga qytetarët. Këto veprime, përveç që përbëjnë shkelje të ligjit mbi ndarjet buxhetore, paraqesin edhe elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar””, thuhet tutje në kallëzim penal.

Gjithashtu, thuhet se raporti i ZKA-së ka evidentuar vonesa të mëdha në përmbushjen e detyrimeve, duke përfshirë pagesa për përmbarime në shumën 7,006,316 euro, nga të cilat 523,056 euro janë vetëm kamata, si rezultat i mosveprimit në kohë dhe të kundërligjshëm.

“Në këtë drejtim, Partia Demokratike e Kosovës-Dega në Gjilan kërkon nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që në përputhje me kompetencat ligjore, të inicioje hetimet penale ndaj të kallëzuarit Alban Hyseni, në cilësinë e Kryetarit të Komunës se Gjilanit, për shkak të dyshimeve të arsyeshme mbi veprimet dhe mosveprimet e tij, te cilat kane prodhuar pasoja të dëmshme për interesin publik, rendin financiar dhe ligjshmërinë institucionale”, thuhet në kallëzim penal.

Veç kësaj, në kallëzim penal thuhet se vetë menaxhmenti i Komunës se Gjilanit ka pranuar gjetjet e ZKA-së duke u shprehur ‘Pajtohen’, gjë që sipas PDK-së përbën pranim zyrtar të shkeljeve të konstatuara duke e bërë dyshimin e bazuar për përgjegjësi penale.

“Duke qenë se Kryetari i Komunës së Gjilanit është organi më i lartë ekzekutiv në nivel lokal dhe bartës i përgjegjësive ligjore për menaxhimin e financave publike dhe funksionimin e strukturës komunale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se veprimet dhe mosveprimet e tij kanë rezultuar me cenim të rënde të ligjshmërisë, transparencës dhe interesit publik”, thuhet tutje në kallëzim penal.

Andaj, PDK përmes këtij kallëzimi penal ka kërkuar nga Prokuroria Speciale që të iniciojë hetimet për veprat penale të përmendura dhe të ndërmarrë veprimet përkatëse procedurale në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

“Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë një qëndrim për këtë çështje nga kryetari Hyseni, por nuk ka qenë i qasshëm. /BetimipërDrejtësi