
Gashi: Që LVV-ja ka plan bllokimin e institucioneve, nuk ka më asnjë dyshim
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka bërë një reagim pasi ditën e marte kryeparlamentar u zgjedh Dimal Basha (LVV), por seanca konstituive u ndërpre pasi nuk u arrit të votohet për nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.
Sipas Gashit, LVV ka në plan bllokimin e institucioneve.
“Kuvendi duhet të zhbllokohet, institucionet duhet të themelohen sa më shpejt! Që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim. Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh Kryetari i Kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm”, thuhet në postimin e tij.
Tutje, thuhet se “Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të përqendrohen te nënkryetari serb – duke shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe duke llogaritur se reagimi i partive tjera do të ishte më i zbehtë”.
“Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional. Politika ka rënë në pikën më të ulët, ku shihet vetëm përfitimi momental, jo siguria dhe interesi i shtetit e i shqiptarëve të Kosovës”, ka pohuar ai.
Gashi ka shkruar se LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave.