
“Mendoni për Enver Zymerin e Afrim Bunjakun”, Avdyli thotë se barazimi i Rashiqit me Simiqin është rrezik për sovranitetin
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Guxo, Haxhi Avdyli, ka thënë se është akt puro sabotimi i integritetit dhe sovranitetit të vendit barazimi i deputetit serb Nenad Rashiq me Slavko Simiqin nga Lista Serbe.
Avdyli në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook ka shkruar se Rashiqi e njeh Kosovën si shtet, ndërkaq Simiqi jo.
“Tentimi i turpshëm i barazimit të Rashiqit me Simiqin e Srspkës, është një akt puro sabotimi që i bëhet integritetit, sovranitetit dhe ligjshmërisë në vendin tonë. Po, dytë janë Serb, me emër e mbiemër. Por njëri njeh Kosovën shtet , dhe ka punuar qe 20 vite si çdo pjesëtar i pakicës në institucionet tona dhe për shtetin tonë. E ata tjerët, a i njihni? Ju eksponent të opozitës, që po barazoni këta dy, ku keni jetuar deri tash pash zotin?”, ka shkruar Avdyli.
Deputeti tutje është shprehur se përse duhet të përkrahet Simiqi, që është masha e Vuçiqit.
“Po, pse kaq pak e doni vendin tuaj? Pse ia keni marr inati vendit tuaj? Çka ju ka bë Kosova keq, përveç që ju dha bukë, e shtëpi e ju rriti? Pse duhet të përkrahni Simiqin, mashën e Vuçiqit, lider i terroristëve të veshur me petkun e politikanit. A mbani mend barrikadat? A mbani mend dëbimin e shqiptarëve nga veriu? A mbani mend kontrabandistët, e bandat terrorizuese? A mbani mend sa Kosovë e sa Serbi ishte veriu? Kush i udhëhoqi krejt trazirat, e krejt këqijat që ndodhën këtij vendi?”, ka pyetur deputeti Avdyli.
Ai shtoi se fajtor i krejt këtyre ishte Lista Serbe dhe tutorët e tyre në Beograd.
“Nëse ju ka rrok amnezia po ju tregoj ishte SRPSKA dhe tutorët e tyre në Beograd. Nesër, kur të paloheni si LDK e të abstenoni si PDK, mendoni edhe për Enver Zymerin e Afrim Bunjakun. Mendoni pak edhe për jetimët, fëmijët e heronjve, që mbetën jetimë, vetëm nga veprimet e Simiqave e Radojqiqave. Nesër me heshtjen tuaj do ia zgjatni jetën sponsorëve të vrasësve, dhe krahut politik të terroristeve në veri….Ose do kaloni në anën e shtetit tuaj. Ndoshta”, ka shkruar Avdyli.