Nga bllokada në bllokadë
Foto: Laura Hasani

Nga bllokada në bllokadë

Aktuale August 27, 2025 - 09:47

Pas gati shtatë muajsh ngërçi politik, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Dimal Bashën nga Lëvizja Vetëvendosje si kryetar të tij.

Basha mori 73 vota për, 30 kundër dhe 8 abstenime, duke e siguruar postin falë mbështetjes edhe nga deputetë të PDK-së, AAK-së dhe një pjese të pakicave. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe votuan kundër. Për këtë post kërkoheshin të paktën 61 vota.

Në fjalimin e tij të parë, Basha falënderoi deputetët për besimin dhe e cilësoi Kuvendin si “zemrën e demokracisë kosovare”.

Ai theksoi se shteti i Kosovës është ndërtuar mbi sakrifica të mëdha dhe bëri thirrje për bashkëpunim mes pushtetit dhe opozitës, duke ftuar edhe Serbinë që ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“E ndiej përgjegjësinë për besimin tuaj dhe gjithashtu do të marrë momentin për të falënderuar Avni Deharin, dhe Sala Jasharin, për mbajtjen e këtyre seancave. E ndjej përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Ky vend është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohet zëri i të gjithë qytetarëve tanë. Republika jonë u ndërtua mbi sakrifica se liria dhe shteti unë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre. Një përulje dhe falënderim nga zemra u takon grave, vajza, pra nënave dhe motrave tona, të cilat brez pas brezi sakrifikuan, rritën, punuan në heshtje dhe ofruan dashuri dhe përkushtim. Ato ishin dhe mbesin themeli i një shoqërie të shëndoshë që ne e gëzojmë”, ka thënë Basha.

Kuvendi miratoi gjithashtu tre nënkryetarë: Albulena Haxhiu nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga PDK-ja dhe Kujtim Shala nga LDK-ja.

Megjithatë, nuk u arrit marrëveshje për nënkryetarin e komunitetit serb, pasi kandidati i Listës Serbe, Sllavko Simiq, nuk mori votat e nevojshme. Edhe kandidatët e propozuar përmes shortit, Verica Çeraniq, Stefan Kovaçeviq dhe Nenad Rashiq, nuk arritën të sigurojnë mbështetje. Për këtë arsye, seanca u shty për të enjten.

Zgjedhja e Bashës u shoqërua me reagime të ashpra.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se askush nuk është i kënaqur me këtë vendim, as Vetëvendosje e as qytetarët, duke e cilësuar kandidaturën si të dobët.

“Qytetarët e kanë parë qartë se sa i vlerëson Albin Kurti. Vetëvendosja e ka vënë në grackë gjithë popullin e Kosovës, ose edhe ata kanë rënë vetë sepse kanë menduar që nuk ua votojmë pa konsultë”, ka thënë Krasniqi.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e quajti “gabim trashanik” votën e PDK-së dhe AAK-së për Bashën, duke paralajmëruar krizë të re kushtetuese për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit serb.

“E ndjej si gabim trashanik votën e dy partive tjera të ish opozitës PDK e AAK që institucioneve të Kosovës të u japin një emër të tillë. Megjithatë ky është vullnet 73 deputetëve shumicës, LDK-ja e respekton këtë vullnet por s’mund të jetë e lumtur me kualitetin e njerëzve që përfaqësojnë këto institucione. Besoj se do të futemi në një krizë tjetër të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket vendeve të pakicave në Republikën e Kosovës, në radhë të parë pakicës serbe e cila duhet të ketë qartësi sa i përket të drejtë për propozim. Ajo çka është fatkeq është që Kosova me institucionet e saj të mos mbetet peng i vullnetit të Beogradit. Ne s’marrim pjesë që s’i konsiderojmë si Kushtetuese në radhë të parë dhe për këtë arsye mbajmë qëndrim parimor”, ka theksuar Abdixhiku.

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, tha se e votoi Bashën sepse Vetëvendosja e kishte propozuar si emër serioz, ndërsa Fatmir Limaj nga Nisma kërkoi nga LVV-ja shpjegime për vonesat disamujore në zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“I pyeta, a e keni seriozisht më thanë po, e votova dhe ju uroj suksese. Ky është realiteti i Kosovës dhe deri në pafundësi s’mund ta lëmë kështu. Ta shohim tash sfidën e radhës me nënkryetarë. Edhe aty e shoh një problem që s’do të kalojë lehtë. Një herë do jenë nënkryetarët e partive shqiptare, pastaj nënkryetari i komunitetit serb, i cili nuk e di se si do të jetë situata e numrit të votave. Ne i kemi dhënë një shans dhe duhet me i dhënë mundësi që ai me dëshmuar seriozitetin e tij”, ka thënë Haradinaj.

“Le të japë një shpjegim pse e kanë vonuar vendin deri me tani sa muaj. Shpresoj që do ta kenë një shpjegim para qytetarëve të Kosovës pse është vonuar vendi deri me tani”, ka thënë kreu i Nismës, Fatmir Limaj.

Zgjedhja e Bashës shënon hapin drejt funksionalizimin e plotë të Kuvendit pas zgjedhjeve të fundit. /Dukagjini