Kush është kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha?
Foto: Laura Hasani

Kush është kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha?

Aktuale August 26, 2025 - 20:00

Dimal Basha, i cili që nga sot është në krye të Kuvendit të Kosovës, është njëri ndër figurat e dalluara të jetës politike dhe institucionale të vendit.

I lindur në Prishtinë, gjatë 46 viteve të tij ka jetuar dhe zhvilluar aktivitete në Prishtinë e Ferizaj, për të vazhduar më tej rrugëtimin profesional dhe akademik edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Angli.

Ai ka përfunduar studimet e larta në “John Jay College of Criminal Justice” në Nju-Jork, ku ka diplomuar me vlerësimin më të lartë në drejtimin “E Drejta Penale Ndërkombëtare”. Më tej ka ndjekur studimet Master në Marrëdhënie Ndërkombëtare, me fokus në “Konflikt dhe Siguri” në “The New School University”, po ashtu në Nju-Jork.

Përvoja e tij profesionale është e gjerë dhe e larmishme. Ai ka punuar në zyrën e ish-kongresmenit amerikan Eliot Engel, si dhe ka shërbyer si analist i të dhënave kualitative në Gjykatën Federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Krahas kësaj, Basha ka ndërtuar një karrierë të suksesshme menaxheriale në Angli dhe SHBA, duke dëshmuar aftësi të larta udhëheqëse dhe organizative.

Në fushën politike, Dimal Basha është angazhuar në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, ku ka shërbyer si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës për dy mandate. Gjatë veprimtarisë së tij parlamentare, ai ka qenë pjesë e disa komisioneve me rëndësi strategjike: Komisionit për Punë të Jashtme, Komisionit për Legjislacion, Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, si dhe Komisionit për Stabilizim-Asociim.

Sot, me përvojën e tij të pasur akademike, profesionale dhe politike, Dimal Basha merr drejtimin e Kuvendit të Kosovës, duke sjellë me vete njohuritë ndërkombëtare dhe përkushtimin për zhvillimin demokratik të vendit./rtk