KDI-ja kritikon procedurat për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë
Foto: Laura Hasani

KDI-ja kritikon procedurat për zgjedhjen e nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë

Aktuale August 26, 2025 - 17:14

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar pas zhvillimeve në Kuvend, duke shprehur shqetësim për faktin që as në përpjekjen e 59-të, nuk u arrit të përmbyllet procesi i konstituimit të plotë të legjislativit.

Edhe pse u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe tre nënkryetarët nga subjektet më të mëdha parlamentare, mbetet ende pa u kompletuar zgjedhja e dy nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë.

Sipas KDI-së, gjatë këtij procesi janë shënuar shkelje procedurale nga ana e kryetarit të Kuvendit, përmes ndarjes së votimit të kandidatëve në mënyrë të veçantë për përfaqësuesin e komunitetit serb dhe për atë të komuniteteve të tjera jo-shumicë.

“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar se konstituimi i Kuvendi duhet të bëhet edhe në bazë të praktikave të deritanishme sipas të cilave pesë (5) nënkryetarët e Kuvendit janë votuar në dy pako të ndara. Fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 67), Rregullores së Punës së Kuvendit (neni 12) dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nënvizon thelbësisht nevojën për konsensus dhe gjithpërfshirje gjatë votimit të kryetarit/es dhe nënkryetarëve.

Devijimi nga kjo procedurë, jo vetëm që cenon procesin e konstituimit të Kuvendit por edhe pengon zbatimin e obligimeve kushtetuese për garantimin e përfshirjes së komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës.

KDI u bën thirrje subjekteve parlamentare që me përgjegjësi institucionale dhe duke pasur në prioritet interesin shtetëror, të përkushtohen për të gjetur një zgjidhje që përmbyllë sa më parë procesin e konstituimit të Kuvendit në përputhje me frymën e Kushtetutës, Rregulloren e Punës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagim.