Kjo është procedura për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit
Foto: Laura Hasani

Kjo është procedura për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit

Aktuale August 26, 2025 - 13:38

Hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, ka sqaruar procedurën se si zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit.

Jakaj në një postim në Facebook shkruan se nënkryetarët e tri partive më të mëdha votohen në pako.

Postimi i plotë i Jakjat, pa ndërhyrje:

Si duhet të ndiqet procedura për zgjedhjen e nënkryetarëve pas disa minutave?

Kryetari i Kuvendit kërkon nga tri subjektet më të mëdha parlamentare (LVV, PDK, LDK) të propozojnë nga një kandidat/e për nënkryetar/e, ndërsa kandidati i LVV-së duhet të jetë i gjinisë tjetër nga kryetari.

Nënkryetarët e tre partive votohen në pako.

Kryhet kjo procedurë dhe vazhdojmë me votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë.

Deputetët e komunitetit serb propozojnë një kandidat për nënkryetar, ashtu si edhe deputetët e komuniteteve tjera joshumicë, të cilët më pas zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Propozimet bëhen me shkrim, ndërsa nëse nuk ka propozime, kandidatët përcaktohen me short në prani të deputetëve të komuniteteve përkatëse, nën administrimin e kryetarit të Kuvendit.

Nënkryetarët e dy komuniteteve votohen në pako.