
A ra PDK-ja në grackën e LVV-së me votimin e Dimal Bashës? Përgjigjet Memli Krasniqi
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka folur pas zgjedhjes së Dimal Bashës në krye të Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi është pyetur nëse rikandidimi ishte grackë e LVV-së për partitë opozitare, ai tha se nëse ky ka qenë qëllimi i tyre, në grackë kanë rënë të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi sipas tij, PDK-ja ka insistuar vazhdimisht që LVV-ja të propozojë një kandidat të denjë për kryetar të Kuvendit.
“Ne u munduam që me ju thënë ‘aman të mendoni mirë’ për një kandidat tjetër që s’ka qenë pjesë e Qeverisë”.
“Ndoshta ata kanë mendu që nuk e votojmë, unë e kam obligim fjalën që jap siç i kemi mbajtur gjithë, a është zgjedhja e mirë, pyetni Albin Kurtin”, tha Krasniqi.
Ai shtoi se as votuesit e LVV-së e as qytetarët nuk janë të lumtur me përzgjedhjen për kryetar të Kuvendit.
“As votuesit e VV-së e as qytetarët nuk janë të lumtur me përzgjedhjen për Kryetar të kuvendit. PDK-ja ka kërkuar zhbllokadën e imponuar nga LVV-ja qysh nga dita e parë. Kemi ofruar gatishmërinë tonë për ta votuar një kandidat që s’ka qenë pjesë e ekzekutivit. Në një situatë normale, në një botë paralele asnjëherë nuk do ta votonim dikë si Dimali në krye të kuvendit, por sot kemi votuar siç kemi thënë për ta zhbllokuar situatën dhe për t’i qëndruar besnik fjalës së dhënë publike, sepse për PDK kjo është e rëndësishme”, tha Krasniqi. /Zëri
