
Deputetët mblidhen sërish në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin
Deputetët e legjislaturës së nëntë do të përpiqen sot me fillim prej orës 11:00 që të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, i cili vazhdon të mbetet i bllokuar edhe pas dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Përpjekjet për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit kanë dështuar të dielën, pasi asnjëri nga kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të marrë shumicën e nevojshme prej 61 votash për të udhëhequr institucionin më të lartë legjislativ të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi tre kandidatë për postin e kryeparlamentarit: Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha. Të tria kandidaturat dështuan. Murati mori 55 vota, Nagavci po ashtu siguroi 55 vota për. Kandidati i fundit, Dimal Basha, arriti të marrë 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime, por as ai nuk arriti të sigurojë shumicën e thjeshtë.
Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë. Pas dështimit të të gjitha kandidaturave, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet sot, të martën.
Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit mbetet një hap kyç për funksionalizimin e legjislaturës së re dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të tjera.