
Ura e re mbi lumin Ibër drejt përfundimit, Durmishi: Hapja pritet në fillim të shtatorit
Një nga dy urat që po ndërtohen mbi lumin Ibër, pas dy muajsh punimesh, po shkon drejt përfundimit, kjo pasi sot është duke u shtruar shtresa e asfaltit mbi urë, ndërsa nesër planifikohet vendosja e sinjalistikës.
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, tha se po presin raportin preliminar të testimeve të urës për të siguruar që ajo është gati për përdorim.
“Jemi duke punuar intensivisht, sot po bëhet shtresa e asfaltit, nesër do të vendoset sinjalistika dhe po presim raportin preliminar të testimeve”, tha Durmishi në një prononcim për Telegrafin.
I pyetur nëse pritet që ura të hapet në fillim të shtatorit, ai u shpreh me optimizëm: “Gjithsesi në fillim të shtatorit”.
Ndryshe, gur themeli i dy urave mbi lumin Ibër është vendosur në fillim të muajit korrik, në prezencën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ndërkaq, sipas Qeverisë në detyrë, qëllimi është lidhja e Mitrovicës së Veriut me Mitrovicën e Jugut.
Përfundimi i ndërtimit të urave pritet në shtator. Njëra është për këmbësorë dhe tjera për automjete. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ka ndarë rreth tre milionë euro.
Ndërtimi i urave bëhet pranë kryesores që është mbi Ibër. Kjo e fundit është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes që ishte arritur në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Bashkimi Evropian pati thënë që ndërtimet përgjatë Ibrit duhet të bëhen me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse.