
Presidentja Osmani thotë se Rusia synon destabilizimin e Ballkanit për interesa strategjike
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për TVP World ka thënë se forcat e liga, si Rusia, po përpiqen të ndikojnë në Ballkan, sepse kanë një "interes strategjik" dhe synojnë të destabilizojnë sistemin e vlerave të BE-së dhe NATO-s.
Duke folur për këtë televizion në kuadër të Forumit Evropian në Alpbach, Osmani ka folur për ndikimin në rritje të "trekëndëshit të së keqes" (Rusia, Kina, Irani) dhe ka theksuar sfidat më urgjente për vendin.
“Shpeshherë them se kur shohim forca të liga si Rusia, Kina dhe Irani, këtë trekëndësh të së keqes që përpiqet të ndikojë në Ballkanin Perëndimor, ata nuk e bëjnë për bamirësi, por sepse kanë një lloj interesi strategjik”, ka thënë ajo.
Sipas saj, për Kosovën, problemi më i madh është Serbia. Duke cituar Misionin e Vëzhgimit Evropian, ajo ka thënë se është provuar që Serbia, “me ndihmën dhe mbështetjen e Rusisë”, ka ndërhyrë në zgjedhjet më të fundit parlamentare në Kosovë.
“Sfida jonë më e madhe, siç thashë, është fakti që Serbia vazhdon t’i shohë shtetet fqinje si shtete të përkohshme”, ka deklaruar presidentja, duke krahasuar këtë perspektivë me “mentalitetin imperialist dhe hegjemonist që ka Rusia”.
Megjithatë, presidentja Osmani ka thënë se në politikën e madhe të Kosovës, “nuk ka ndikim rus apo serb apo të ndonjë tjetri. Është gjithçka shumë lokale”.
Osmani gjithashtu ka deklaruar se Kosova është e etur për t’u anëtarësuar në BE dhe se mungesa e një shumice parlamentare po bllokon projekte evropiane dhe bashkëpunimin me administratën amerikane.