
Asfaltohet lidhja mes “Rrugës B” dhe “Rrugës A” në Prishtinë
Aktuale
August 25, 2025 - 10:06
Pas pritjeve dhe vështirësish në qarkullim, “Rruga B”, një ndër rrugët më të rëndësishme të kryeqytetit, ka hyrë në fazën përfundimtare të asfaltimit në segmentin që lidhet me “Rrugën A”.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
“Prishtina, përtej bllokadës. Asfaltimi i ‘Rrugës B’ që e lidh me ‘Rrugën A’”, shkroi Rama.
Asfaltimi i këtij segmenti do të ndikojë drejtpërdrejt në shkurtimin e kohës së udhëtimit, zvogëlimin e ngarkesës së trafikut dhe lehtësimin e qasjes ndërmjet zonave të frekuentuara të qytetit.
Kjo ndërhyrje është pjesë e planit të Komunës për modernizimin e infrastrukturës rrugore dhe përmirësimin e jetës urbane në kryeqytet.