
Dimal Basha, befasia e tentimit të 57-të për konstituim të Kuvendit
Propozimi i Dimal Bashës, për kryetar të Kuvendit, i ka zënë në befasi shumicën e deputetëve të partive që në të kaluarën kishin qenë në opozitë.
Përfaqësues të partisë Demokratike të Kosovës vazhdimisht kishin deklaruar se nuk votojnë vetëm emra të kandidatëve që kanë pasur poste në qeveri, por në këtë seancë nuk mbajtën qëndrimin e tyre.
Deputeti Basha nuk ka pasur asnjëherë post ekzekutiv.
“Nuk na mundësuan një pauzë 10-minutëshe nga e cila do të mund ta votonim një kryetar Kuvendi, edhe nëse do të ishte Dimal Basha. Tek e fundit këta njerëz i ka Vetëvendosja. Shpresoj që pasnesër të mos ketë arrogancë të njëjtë Dehari, dhe nëse ka propozim që mund t’i marrë votat e PDK-së të na jap një pauzë 10-minutëshe”, ka thënë Memli Krasniqi – Kryetar i PDK-së.
Megjithatë dy nga deputetët e partive që kishin qenë në opozyë vepruan ndryshe, duke votuar për Bashën që të marr pozitën e kryekuvendarit.
Arben Gashi deputet i LDK-së, tha se votën para seancës ia kishte kërkuar vetë Basha.
“Ma ka kërkuar votën dhe i kam premtuar se do ta votoj. Para disa muajve nuk e kam ditur se do të del në votim por i kam thënë kurdo që të qesin votën time e ke. Është një djalë simpatik dhe mendoj se duhet pak me mendua përtej, nuk është shumë polarizues i ka disa deklarata të forta përtej të arsyeshmes por në përgjithësi nuk ka një të kaluar që e pengon me bë një punë”, ka thënë Arben Gashi – Deputet i LDK-së.
Për arsyet që e votoi deputetin e LVV-së, tregoi edhe Bekë Berisha nga AAK-ja.
“Nuk ka pasur asnjë detyrë qeveritare, mos harroni që kemi thënë që edhe kanë qenë më pak njerëzor dhe munden me kriju njëfarë lloj që dinë me vet e me të thanë mirëdita. Për këta të tjerët nuk mundem me fol vetëm për veti”, ka thënë Beke Berisha – Deputet i AAK-së.
E vetë i propozuari për kryetar të Kuvendit duke falenderuar deputetët që e votuan për, tha se kjo shpërfaqi se partitë e tjera janë duke e bllokuar qëllimshëm Kuvendin.
“Të gjitha arsyet e tjera ranë në ujë. Pra u shpërfaq pas krejt kësaj kohe se e kanë pasur qëllim bllokimin e Kuvendit”, ka thënë Dimal Basha – Kandidat për kryetar të Kuvendit.
Ky ishte tentimi i 57-të për të konstituar Kuvendin e Republikës së Kosovës.