
Mustafa: LDK-ja nuk voton kandidatë pa marrëveshje politike, vota e Gashit ishte qëndrim i tij
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka deklaruar se partia e tij mbetet konsistente në qëndrimin për të mos votuar kandidatë për kryetar të Kuvendit nga asnjë parti me të cilën nuk ka marrëveshje politike paraprake.
Ai tha se i njëjti parim është zbatuar edhe në votimin e fundit, pavarësisht emrave të propozuar nga LVV-ja.
“Kemi thënë që nuk votojmë asnjë kandidat të asnjë partie me të cilën nuk kemi një marrëveshje paraprake politike. Njësoj vepruam edhe sot, pavarësisht edhe emrave që VV-ja propozoj vazhdimisht. LDK mbetet konsistente, kemi qëndrimin e njëjtë që kemi pasur, nuk votojmë kandidat për kryetar nga një parti me të cilën nuk kemi marrëveshje politike paraprake”, ka deklaruar Mustafa.
Sa i përket votimit pro të deputetit të LDK-së, Arben Gashi, për Dimal Bashën, Mustafa theksoi se ai ka vepruar në mënyrë të pavarur si deputet.
“LDK është me të vërtetë demokratike dhe Gashi ka qëndrimet dhe veprimet e tij, parametër në cilësinë e deputetit”, tha Mustafa.