Mustafa Gërvallës: I lartësoj heronjtë, jo t’i shndërroj monedha politike
Foto: Laura Hasani

Mustafa Gërvallës: I lartësoj heronjtë, jo t’i shndërroj monedha politike

Aktuale August 24, 2025 - 12:06

Besian Mustafa ka shprehur qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për refuzimin e tyre për të votuar ndonjë kandidat nga LVV për kryetar Kuvendi, pa marrëveshje politike.

“Do të vazhdojmë ta kemi të njëjtin qëndrim. Nuk votojmë kandidat për kryetar Kuvendi nga një parti politike me të cilën nuk kemi marrëveshje politike paraprake”, ka thënë ai, pas dështimit të 57-të të seancës konstituive.

Mustafa është pyetur nga gazetarët për reagimin e Donika Gërvallës, e cila ka thënë për të se ka vepruar njësoj si Lista Serbe, teksa ka përmendur se është djali i Xhemajl Mustafës.

“Unë gjithë karrierën time politike s’e kam thënë ndonjë fjalë ndaj saj apo politikanëve të ngjashëm me atë. Unë jam rritur e brymosur në një frymë ku heronjtë dhe familjarët e tyre vlerësohen, lartësohen e në asnjë mënyrë nuk shndërrohen në monedha për politika ditore. Donika është Donikë”, ka thënë Mustafa.

“Imagjinoni, aty në Kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës, Besian Mustafa, nipi i Tahir Zemajt, Armend Zemaj, janë të ulur dy komandantët e Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni dhe këta të katërt janë bërë bashkë me PDK-në, edhe me Listën Serbe, për të votuar kundër Donika Gërvallës”, kishte shkruar Gërvalla në facebook një ditë më parë.