
Kërcënimet e serbëve në veri, Peci: Zyrtarët e qytetarët në frikë nga Lista Serbe
Para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, Lista Serbe ka filluar të kërcënojë punonjësit serbë në komunat veriore të vendit. Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci thotë se ka pranuar informacion nga zyrtarët komunal të komunitetit serbë, se kohëve të fundit janë rritur shantazhet dhe kërcënimet nga Lista Serbe ndaj qytetarëve dhe punonjësve të kësaj komune.
Shqetësime për ndikimin që ka Lista serbe në katër komunat veriore janë ngritur.
Kjo parti nuk u certifikua ditë më parë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Për të kundërshtuar këtë vendim, u ankuan në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Pavarësisht kësaj, nga komuna e Zveçanit thonë se zyrtarët e komunitetit serbë po marrin kërcënime nga Lista serbe, përkatësisht ish-kryetari i kësaj komune njëherësh kandidat për zgjedhjet e 12 tetorit, Dragisha Milloviq.
“Ne të gjithë e njohim ish-kryetarin, i cili është prapë tash kandidat, ai është një regjim në vete mundemi me thënë një mafioz, kanë frikë qytetarët prej tij. 02:32- Sidomos kohëve të fundit, qytetarët serbë e kanë një frikë shumë të madhe nga Lista Serbe, të cilët hiq më larg se sot nga disa zyrtarë të mi, kanë pas frikë me dal në disa komisione disa vlerësime me i bë nëpër qytet, e kanë një frikë më të madhe tash e 4-5 ditë…Sot më thanë se nëse nuk tërhiqemi nga ky komision duhet të japim dorëheqje se kemi frikë, thjesht po na vrasin ose ndonjë kërcënim”, tha Peci për Teve1.
Sipas tij, kjo parti mund të tërhiqet nga gara për zgjedhjet komunale.
“Këta deri në momentin e fundit kanë me dërgua procedurën kështu, por nuk kanë me marrë pjesë, edhe nëse kanë me marrë pjesë kanë me dhënë përsëri dorëheqje, por prapë se prapë politika ndryshon brenda një kohe të shkurt”.
Në anën tjetër, kryesuesi i kuvendit komunal të Mitrovicës së veriut, Nexhat Ugljanin theksoi se komuniteti serbë në katër komunat veriore ka pasur deri tani trysni nga Lista Serbe por edhe Beogradi.
“Drejtimi i tyre është me urdhra nga Beogradi. Po presim ma shumë demokraci në terren nga komuniteti serbë, sepse i kom përmend disa iniciativa për kandidimin për kryetar të komunave që do të ketë më shumë përparësi për komunitetin serb sepse cenimi i demokracisë ka qenë deri tash shumë i rrezikuar nga komuniteti serb sepse gjithmonë ka pas një trysni nga Lista Serbe dhe qeveria e Beogradit apo Serbisë”, tha Ugljanin.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur dy ditë më parë, nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, kjo parti nuk mori mbështetjen nga anëtarët e KQZ-së.