Haxhiu i kundërpërgjigjet Tahirit: Me amnezi tendencioze, vazhdon të manipulosh me të pavërteta
Foto: Laura Hasani

Haxhiu i kundërpërgjigjet Tahirit: Me amnezi tendencioze, vazhdon të manipulosh me të pavërteta

Aktuale August 23, 2025 - 16:10

Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, i është kundërpërgjigjur deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili sot deklaroi se LVV ka propozuar kandidatë për kryetar të Kuvendit, siç thotë ai që “mbajnë rekord të zi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Haxhiu përmes një postimi në rrjetin e social Facebook ka shkruar se Tahiri po vazhdon të manipulojë me të pavërteta,.

“Abelard Tahiri, me amnezi tendencioze, vazhdon të manipulojë me të pavërteta”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Abelard Tahiri, me amnezi tendencioze, vazhdon të manipulojë me të pavërteta.

Instituti për Hetimin e Krimeve të Luftës u shua në vitin 2018, gjatë mandatit të Abelard Tahirit si Ministër i Drejtësisë. Pra Tahiri mbylli mekanizmin shtetëror për dokumentimin e krimeve të Serbisë.

Periudha deri më 31 dhjetor 2000 është e propozuar dhe votuar nga qeverisja e PDK-së, në 2011, kur u miratua Ligjin Nr. 04/L-023 për Personat e Zhdukur. Ky ligj përcakton qartë se trajtimi i rasteve të personave të zhdukur mbulon periudhën 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.

Më vonë, më 3 gusht 2015, në Kuvend votuan Dhomat e Specializuara, me juridiksion kohor 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000.

Ligji i hartuar nga Qeveria jonë dhe i miratuar nga Kuvendi, është shumë i qartë dhe nuk lë vend për manipulime. Ai zbatohet për periudhën e luftës, pra nga 1 janar 1998 deri më 20 qershor 1999.

Si përjashtim, hulumtimi dhe dokumentimi “mund të aplikohet edhe mbi krimet e kryera pas periudhës së luftës, të ndërlidhura me luftën, por jo më vonë se 31 dhjetor 2000”.

Kjo nënkupton se boshti kryesor i ligjit është periudha e luftës, ndërsa zgjatja deri më fund të vitit 2000 ka të bëjë vetëm me pasojat e drejtpërdrejta të luftës, siç janë të zhdukurit (obligim nga Ligji i vitit 2011), si dhe viktimat nga minat. Çdo interpretim ndryshe është keqinformim dhe shpërdorim politik i tekstit ligjor.

Duke mbyllur Institutin për Krimet e Serbisë, duke votuar Specialen që gjykon vetëm shqiptarët, duke miratuar Ligjin për Personat e Zhdukur me afat deri në vitin 2000 dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim, sa ishte Ministër, që i shërben drejtësisë për krimet e luftës, është e qartë se kush i ka bërë shërbim Serbisë.

Prandaj Abelardi në vend të shpifjes, duhet të japë llogari pse partia e tij ka marrë këto vendime që e kanë lënë Kosovën pa mekanizma shtetërorë për dokumentimin e krimeve të Serbisë dhe kanë hapur rrugën për gjykim selektiv të UÇK-së.