
Murati i kundërpërgjigjet Tahirit: Gjatë kohës sime si ministër pensionet për kategoritë e luftës i rritëm me 20%, kur udhëhoqi PAN janë rritur 0 euro
Ministri në detyrë i Financave, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati i është kundërpërgjigjur deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i cili deklaroi se LVV ka propozuar kandidatë për kryetar të Kuvendit që mbajnë rekord të zi ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ku u përmend edhe emri i Muratit.
Tahiri ndër të tjera shkroi se i ka përjashtuar nga paga minimale tri kategoritë më të lavdishme të shoqërisë: veteranët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve si dhe invalidët e UÇK-së.
E lidhur me këtë ka reaguar Murati.
Ministri Murati në një postim në Facebook shkruan se herën e fundit kur PDK ka qeverisur me vendin, me koalicionin PAN gjatë 2017–2020, pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve, dhe invalidët e luftës janë rritur 0 euro.
“Herën e parafundit kur PDK ka qeverisur me vendin, në koalicion me LDK gjatë 2014-2017, e kishte fshirë nenin 18 të ligjit që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale. Kjo kërkesë kishte ardhur nga FMN-ja, pasi listat e veteranëve kishin filluar të mbusheshin edhe me ata që nuk i plotësonin kriteret, dhe kjo rrezikonte eskalim të kostos deri aty sa mund ta rrezikonte stabilitetin financiar”, shkruan Murati.
Sipas tij, pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale, por kjo sipas tij e dëshmon se sa pak di Abelard Tahiri për këtë temë.
“Gjatë kohës time si ministër, pensionet për kategoritë e luftës janë rritur për së paku 20%. Gjithashtu, gjatë kohës time si ministër është 4-fishuar buxheti i FSK-së, duke arritur për herë të parë të përmbushim kriterin e NATO-s prej 2% të BPV-së. Këto janë faktet”, shkruan Murati.