Saathoff: Gjermania planifikon të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt BE-së
Foto: Laura Hasani

Saathoff: Gjermania planifikon të ndihmojë Kosovën në rrugën drejt BE-së

Aktuale August 22, 2025 - 16:21

Sekretari i Parlamentit të Shtetit Gjerman pranë Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Johann Saathoff, ka rikonfirmuar gatishmërinë e shtetit gjerman për ndihmë ndaj Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së.

Në një konferencë të përbashkët me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrjes dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ai ka çmuar bashkëpunimin ekonomik me Kosovën, duke përfshirë sektorin privat, atë të arsimit si dhe të energjisë elektrike.

“Që nga viti 1999 Gjermania ka kontribuar në përgjithësi me shumë prej 900 milionë euro për programe të ndryshme të përbashkëta të cilat kanë kontribuar në zhvillimin e këtij vendi. Qeveria gjermane planifikon që edhe në të ardhmen të jap kontributin e saj duke ndihmuar Kosovën në përpjekjet e saj për t’u përfaruar me BE-në dhe për të përforcuar këtë rrugë drejt anëtarësimit të plotë”, ka thënë ai.

Ai tutje theksoi se është impresionuar nga vizita në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren, duke çmuar faktin që janë të pozicionuara 26 ndërmarrje me më shumë se 400 punonjës.

“Një shembull tjetër i bashkëpunimit tonë zhvillimor është arsimi profesional dual, të cilin e kemi nisur edhe në Kosovë. Në kuadër të këtij programi ka nxënës të cilët kanë diplomuar në 12 drejtime të ndryshme dhe janë kualifikuar për një profesion të caktuar. Nga perspektiva ime private, unë kam 5 fëmijë, 4 nga ta kanë shkuar në universitet dhe njëri ka kryer arsimin dual. Ky i fundit është i vetmi që ka një shtëpi, vozit një veturë shumë të mirë dhe ka parë shumë nga bota”, ka thënë ai.

Ndryshe Saathoff në një intervistë ekskluzive ka vlerësuar gjithashtu rolin e diasporës kosovare në Gjermani si një urë të fuqishme bashkëpunimi mes dy vendeve. /telegrafi