
Gërvalla: Është bërë bozë kjo temë, do t’i ndjek ligjërisht ata që më quajnë dëshmitare të Hagës
Deputetja e LVV-së, Donika Gërvalla, ka folur sot për akuzat që i bëhen shpesh, nën dyshimet se ajo ka deponuar dëshmi kundër UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Gërvalla tha se kjo temë po përdoret për të denigruar figurën e saj, duke paralajmëruar padi ndaj secilit që publikisht e akuzon si dëshmitare të Hagës, apo se ka dorëzuar dëshmi kundër UÇK-së, transmeton Zeri.info.
“Është bërë bozë kjo temë, Gjykata Speciale në Hagë e ka përmbyllur marrjen në pyetje të dëshmitarëve, pyesni avokatët e të akuzuarve ku figuron emri im, në cilën fletë, në cilën dëshmi figuron emri im. Është keq kur edhe fushatën kundër një ministri e bazon tërësisht në gënjeshtra. Sot e tutje do të marrë hapa ligjorë kundër secilit që pretendon se kam dërguar dëshmi në Hagë, apo kam qenë dëshmitare në Hagë. Të gjithë e dinë se Donika Gërvalla nuk ka as kontakt, as dëshmi, as dëshmitare lidhur me Gjykatën Speciale, fushata bëhet për denigrim dhe baltosje të personalitetit tim”, tha Gërvalla.
Ajo shtoi se historia do të tregojë se nuk është anti-UÇK-së dhe se histori do të tregojë këtë.
“Të gjithë ata që më sulmojnë si anti-UÇK duhet të maten fortë mirë, sepse historia do të tregojë se kur unë kam kontribuuar në luftën çlirimtare, disa të tjerë kanë qenë duke pirë qumësht”, tha Gërvalla. /Zëri