AAK-ja kërkon konsulta para propozimit të sotëm në Kuvend
Foto: Laura Hasani

AAK-ja kërkon konsulta para propozimit të sotëm në Kuvend

Aktuale August 22, 2025 - 10:45

AAK-ja do të kërkojë të konsultohen grupet parlamentare, para se të nisë seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do të iniciojë konsultime me Grupet Parlamentare dhe kryesuesin e Kuvendit, në mënyrë që mos të ketë befasi me emra, siç ndodhi në seancën e kaluar, kur LVV-ja propozoi Donika Gërvallën, transmeton Zeri.info.

Haradinaj tha se LVV-ja ka mjaft emra që mund ta marrin votën e AAK-së.

“Sot përmes koleges sonë Time Kadrijaj, do të kërkojmë një konsultë me shefat e Grupit Parlamentar dhe kryesuesin që të diskutojmë për kandidaturën. Pos emrave që kemi cek mund të ketë edhe të tjerë, që mund ta marrin votën tonë. Në këtë mënyrë të përgatisim seancën, që të mos shkojmë pa një komunikim. Mirë është të kemi informatë paraprake se kush do të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit. Në seancën para kësaj, ka qenë një lloj befasie me kandidaturën”.

“Ne e kemi përdor këtë formulë edhe një herë, por Kurti nuk na erdh. Nuk mund ta detyrojmë LVV-në kë me propozua, por është mirë që ta diskutojmë se kush mund të jetë figura unifikuese. I kemi humbur disa muaj me seancat jo kushtetuese, është e dhimbshme nëse i humbin edhe 30 ditë me këto tallje, ne po kërkojmë me gjetë zgjidhje, mos me mbajt peng Kuvendin”, tha Haradinaj pak para seancës së Kuvendit. /Zëri