
Sot, vazhdimi i seancës konstituive
Sot do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Vazhdimi i 56-të i seancës është paraparë të nisë në orën 11:00.
Në seancën e kaluar Lëvizja Vetëvendosje vendosi dy emra për pozitën e kryetarit të Kuvendit, por që nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave. Fillimisht u propozua Albulena Haxhiu, e cila ishte kandidate që nga fillimi, ndërkaq më pas Donika Gërvalla.
Ndryshe, një ditë më parë ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në një analizë për ngërçin politik në vend vlerësoi se raporti i forcave politike në Kuvend është 60 me 60 dhe sipas tij asnjëra palë nuk ka vullnet që të formojë qeverinë.
Kryeziu në një postim në Facebook shkruan se për bllokadën në procesin e konstituimit të Kuvendit po njësoj fajtor janë si Vetëvendosja në njërën anë dhe PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja në anën tjetër.
“E para, është shumë e qartë që, në variantin më optimist, raporti i forcave në Kuvend është 60 me 60. Dhe e dyta, më e rëndësishmja, asnjëra palë nuk ka vullnet dhe as dëshirë që të provojë të formojë qeverinë. Të dyja palët e dinë që zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme, sepse nuk ekziston vullnet për bashkëpunim në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Dështimi për ta zgjedhur presidentin vendin e çon automatikisht në zgjedhje. Pra, askush nuk do që të qeverisë për vetëm disa muaj”, shkruan ai.