
“LVV-ja po e bllokon Kuvendin me propozime të emrave që e di se nuk kalojnë”
Analistja politike Afërdita Maliqi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po synon të bllokojë Kuvendin e Kosovës me propozime për kryetar të Kuvendit, duke ofruar emra që sipas saj janë të papranueshëm për partitë e tjera politike.
Ajo tha se ky skenar po përsëritet dhe se vendi po përballet me një krizë institucionale për shkak të qëndrimeve të Vetëvendosjes.
“Duke parë narrativën që ka pasur LVV-ja kundër aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese sepse gjithmonë e dimë ata me fillim, në momentin që ka dalë njoftimi se si duhet të shkojë tutje seanca, konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ne kemi pasur një vërshim të njerëzve të VV-së, që e kanë kundërshtuar dhe janë munduar që të minimizojnë vetë rolin e Gjykatës Kushtetuese duke thënë se herë kjo gjykatë e ka një njeri që rrezikon sigurinë kombëtare, herë vendimi është sikur të shkruhet në zyrat e PDK-së. Ajo që më befasoi është që nuk pamë asnjë kërkim falje fillimisht nga shkelësi i Kushtetutës që është Avni Dehari për të cilin e ka konstatuar Kushtetuesja që ka shkelur Kushtetutën për shkak të ndryshimit të rendit të ditës, kokë në vete që e ka bërë pa pasur një vendim paraprak të kryesisë së kaluar”, tha Maliqi.
Ajo ka thënë se propozimi i Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit është dëshmi se Vetëvendosje po synon bllokim.
Duke folur për Gërvallën, ajo u shpreh se e kaluara e saj politike dhe diplomatike e bën të papërshtatshme për një post të tillë.
“Pastaj pamë edhe propozimet e VV-së fillimisht me Albulenën, e kishte sërish dhe me Donikën. Mendoj që kjo është një skenar i ri i VV-së për bllokim për shkak se të dy emrat janë emra të papranueshëm për paritet që deri dje kanë qenë në opozitë. Ndërkaq Donika Gërvalla, komplet historiku i saj është i dështuar, si në Ministrinë që e ka udhëhequr, që për fatin e keq që sot ajo është aty ne kemi një izolim total, nuk kemi njohje, përkundrazi diplomacia është marrë veç kush po bëhet konsull dhe kush nuk po bëhet. Është marrë me çështje teknike, jo me çështje të cilat asaj i kanë takuar. Shto këtu që ajo ka pasur një diskurs të ashpër ndaj UÇK-së, e ka pranuar vetë që ka dërguar dosje në Hagë, ka pasur një diskurs të rëndë edhe ndaj ish shefit të VV-së, Rexhep Selimi, të cilin e ka quajtur shef të krimit. Kështu që ajo është gjithçka që pamë, është një skenar i ri i VV-së për bllokim të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.
Maliqi ka shtuar se LVV-ja është duke vazhduar me skenarë të tillë, duke propozuar emra që sipas saj nuk kanë gjasa të kalojnë.
“LVV-ja ka me vazhduar që të bllokojë institucionin e Kuvendit të Kosovës me propozime të emrave të tillë të cilët e dinë që nuk kalojnë. Besoj që tash kena me pa Mimoza Kusarin, Dimal Bashën, ministrat e tjerë që ka marrë nga partitë ish opozitare që nuk i votojnë. PDK ka qenë e qartë se nuk voton asnjë emër që ka qenë në qeveri, LDK ashtu kështu ka thënë se nuk votoj, AAK i ka dhënë disa propozime. Nëse VV-ja është e interesuar që të zgjidhë ngërçin e Kuvendit të Kosovës e ka zgjidhjen. Mendoj që Glauk Konjufcën secili e kish votuar dhe nuk kish me qenë një problem për votimin e tij”, përfundoi Maliqi.