Deliu: Si dolën 57 vota për Gërvallën kur Selimi nuk e votoi, mjaft më me manipulime
Foto: Laura Hasani

Deliu: Si dolën 57 vota për Gërvallën kur Selimi nuk e votoi, mjaft më me manipulime

Aktuale August 20, 2025 - 14:27

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka reaguar pas dështimit të Donika Gërvallës për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, duke kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, për siç shprehet ajo “lojëra dhe taktika të poshtra manipulimi”.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Deliu përmendi mosvotimin e deputetes së LVV-së Shqipe Selimi, duke lënë të kuptohet se brenda partisë në pushtet nuk ka unitet për kandidaturën e Gërvallës.

“Edhe Shqipe Selimi e di pse Donika Gërvalla nuk i mori votat sot. Por, si u bënë 57 vota sot në Kuvend, meqë Shqipja nuk e votoi?”, ka shkruar Deliu.

Ajo shtoi se është koha që të ndalet bllokimi i institucioneve dhe të sillet një kandidat që realisht mund të sigurojë shumicën.

“Ju lutem, ndalni më këto lojëra e taktika të poshtra manipulimi e kthejuni seriozitetit. Propozojeni një kandidat, i/e cila e dini se i merr votat – e mjaftë më me bllokada!”, përfundoi deputetja e PDK-së.

Ndërkohë, gjatë seancës së sotme, Donika Gërvalla mori 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenime, të pamjaftueshme për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit. Seanca u shty për 22 gusht.

Image