
Haxhiu: Opozita do të goditet në zgjedhjet e jashtëzakonshme
Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu, pas dështimit të zgjedhjes së saj dhe të të Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit, tha se nuk ka qenë problem emri i saj, por problemi është me Vetëvendosjen.
“Propozimi i dytë i Vetëvendosjes ishte Donika Gërvalla dhe ne nuk e propozuam rastësisht. Donika Gërvalla është së pari gruaja e dytë më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, dhe besoj që kjo duhet të ketë rëndësi për të gjithë, sepse janë votat e qytetarëve që kanë përcaktuar këtë rezultat. Ajo është zëvendëskryeministre dhe një person jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse me Donikën kemi pasur një partneritet të shkëlqyer dhe bashkëpunim tepër të mirë. Për ne kjo ka shumë rëndësi, siç kanë përmendur edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes, dhe ne menduam se ky propozim do të kalojë. Mirëpo, ja që opozita nuk dëshiron të ndryshojë qëndrimin. Besoj që, kurdo që të ndodhin zgjedhjet e jashtëzakonshme, ata do ta marrin goditjen e qytetarëve të Kosovës”, tha ajo.
Haxhiu tha se “nuk ka qenë problem emri i saj".
"Problemi është me Vetëvendosjen, pra me opozitën së bashku me Listën Serbe, sepse edhe sot një herë u dëshmua se PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe janë bashkë. Ata vazhdimisht kanë qenë bashkë, dhe sot u konfirmua sërish bashkëpunimi i tyre”, shtoi Haxhiu.
"Problemi është me LVV-në, pra me opozitën bashkë me Listën Serbe, sepse sot edhe një herë u dëshmua se PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe janë bashkë. Ata vazhdimisht kanë qenë bashkë dhe sot u dëshmua sërish që janë bashkë”, shtoi Haxhiu.
Edhe Hekuran Murati nga LVV-ja ka thënë se partitë opozitare, pavarësisht ndërrimit të kandidatit për kryekuvendar, sipas tij, po vazhdojnë me “taktikat bllokuese” për konstituimin e institucioneve të reja.
“E patë që, përkundër që u ndërrua kandidati, Donika Gërvalla mori votat e njëjta si Albulena Haxhiu. Asnjë votë nuk ndryshoi, pavarësisht kandidatit. Kjo është dëshmia që kemi të bëjmë me taktika bllokuese ndaj Kuvendit”, ka thënë Murati.
“Në Kosovë janë dy blloqe: njëri me 57 vota që kanë dalë nga këto zgjedhje, LVV, Guxo, Alternativa dhe partitë jo-shumicë jo-serbe, duke përfshirë edhe Nenad Rashiq. Në anën tjetër është blloku tjetër – PDK, LDK, AAK, Lista Serbe – me 56 deputetë, që janë të interesuar ta mbajnë të bllokuar Kuvendin. Çdo gjë tjetër që ka ndodhur ndërmjet janë makinacione që tentojnë ta vjedhin vullnetin e popullit”, ka thënë ai. /rtk