
Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit, e 55-ta me radhë
Sot, me fillim nga ora 11:00, është thirrur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar rregulla të reja për konstituimin e organit ligjvënës.
Në këtë seancë pritet të mblidhen 120 deputetët e legjislaturës së 9-të, për të vijuar procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, si dhe për konstituimin e organeve të tjera udhëheqëse.
Pas publikimit të aktgjykimit, afati 30-ditor për përfundimin e konstituimit ka nisur zyrtarisht, duke e vënë Kuvendin dhe subjektet politike përballë një presioni institucional dhe kushtetues për të siguruar funksionalitetin e plotë të institucionit.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vlerësuar se konstituimi i Kuvendit është një urgjencë shtetërore, duke theksuar rëndësinë e krijimit të institucioneve të reja në këtë periudhë sfidash globale dhe zhvillimesh të ndjeshme rajonale.
Sipas Presidencës, zvarritja e procesit deri më tani ka dëmtuar jo vetëm besueshmërinë e institucioneve dhe zhvillimin e brendshëm, por edhe pozicionin ndërkombëtar të Kosovës.
Ndërkohë, analistët politikë dhe njohësit e çështjeve juridike kanë paralajmëruar se, pa një marrëveshje politike, konstituimi i Kuvendit mbetet i vështirë.
Juristi Mazllum Baraliu tha se është momenti të tejkalohet retorika e bllokadave dhe të vihet funksionaliteti institucional në fokus.
Po ashtu, analisti Dorajet Imeri deklaroi se momentumi i tanishëm, që ka mbajtur peng jetën institucionale të vendit, duhet të përmbyllet me një marrëveshje politike në shërbim të stabilitetit dhe demokracisë.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të zgjedhë kryetarin e tij përmes votimit të hapur, brenda 30 ditësh, me jo më shumë se tri raunde votimi për të njëjtin kandidat. /rtk