Bahtiri: Lista Serbe deri me ardhjen e Kurtit kishte dorë të fuqishme nga Qeveria e Kosovës
Foto: Laura Hasani

Bahtiri: Lista Serbe deri me ardhjen e Kurtit kishte dorë të fuqishme nga Qeveria e Kosovës

Aktuale August 19, 2025 - 21:53

Ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut, tani deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri ka thënë se Lista Serbe nga viti 2013 kishte dorë të fuqishme nga Qeveria e Kosovës.

Ai duke folur për përpjekjet që janë bërë për integrimin e Mitrovicës së Veriut ka thënë se ka qenë i planifikuar  formimi i një bordi i cili duhej të përbehej prej shqiptareve dhe serbe dhe nivelit qendror, por që nuk u themelua për shkak të bllokadës nga Lista Serbe.

Bahtiri nuk ka përmendur se në kohën e cilit kryeministër Lista Serbe kishte këtë fuqi, por ka thënë se situata ka qenë e njëjtë nga viti 2013 deri më ardhjen e Kurtit në pushtet.

“Lista Serbe kishte dorë të fuqishme nga Qeveria e Kosovës. Nuk po dua të them asnjë kryeministër, pos gjithë kryeministrat që kanë qenë nga 2013-ta deri në ardhjen e z. Kurtit në pushtet. S’po i fali asnjë. Interesi ka qenë se pa Listën Serbe s’kanë mundur me bë Qeverinë dhe si të kesh mungesë me bë Qeverinë pa ta, ata kushtëzojnë dhe i kanë kushtëzuar çdo herë”, ka thënë ai.

Bahtiti ka thënë se veriu i Mitrovicës është udhëhequr nga grupe kriminale e të drogës, të cilat e kanë pasur në dorë Listën Serbe, e që Qeveria e Kosovës i është nënshtruar kësaj partie./teve1