
Zhbllokimi i Kuvendit sipas analistëve varet nga vullneti politik i partive
Si zakonisht, pas çdo interpretimi të Gjykatës Kushtetuese për një çështje të caktuar, vijnë interpretime ndryshe nga partitë politike, disa pajtohen e disa e kundërshtojnë.
Njëjtë ndodhi edhe me aktgjykimin e ri i cili për ish-bllokun opozitar është zgjidhja për ta kaluar bllokadën në Kuvend, por jo edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.
Analistja politike Magbule Shkodra mendon se nëse palët janë të interesuara mund ta gjejnë një zgjidhje, në të kundërtën parasheh zhvillime të paqartë pas afatit 30 ditor.
“Unë ju propozoj deputetëve që apsolutisht të qëndrojnë në sallë deri sa të shterrohen të gjitha mundësitë e propozimeve, pra të propozohet një person 3 herë nëse i merr votat, nëse jo, menjëherë të vazhdojnë me propozimin e ri…Ata mund të vazhdojnë në sallë pa shkuar në shtëpi deri sa të gjejnë një zgjidhje, por nëse shohim tendenca që të bëhet një propozim, nëse dështron tri herë, dhe përsëri z. Dehari ashtu siç e ka uzurpuar atë përgjegjësi teknike të cilën e ka të bëj thirrje të seancës pas 48 orëve atëherë vetëm po vërtetohet ajo që kemi thënë që LVV po dëshiron zvarritje”, ka thënë Shkodra.Edhe për analistin tjetër politik, Bekim Kabashin, ndonëse të pritura, qëndrimet e ndryshme politike e kanë bërë të pa-qartë situatën, prandaj nuk pret as mbështetje nga opozita e as ndryshim të qëndrimeve nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Çasja manovruese për mendimin tim është pothuajse e pamundshme në këtë rast, Gjykata Kushtetuese ka qenë shumë e qartë, ka kërkuar votim të hapur, qëndrimet e partive politike tani më dihen ka një afat 30 ditor nëse nuk konstituohet Kuvendit atëherë dueht të ndiqen hapat tjerë, vetëm këtu është dilema çka ndodh pas 30 ditëve dhe forma se si duhet të shkohet është e qartë dhe unë pres që LVV tash duhet pasi që kryesuesi i saj është, duhet ta nxjerr në votim të hapur”, ka thënë Kabashi.
Kabashi pret që të ketë prap bllokim të konstituimit të Kuvendit, me mundësi të një interpretimi tjetër nga Gjykata Kushtetuese.
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe ecja përpara me formimin e Qeverisë ka dështuar të bëhet realitet, edhe pas 4 muajve përpjekjesh, pas 54 seancave të dështuara, gjatë së cilave deputetët i kanë marrë katër paga, secili mbi 1900 euro për muaj.