Ismet Kryeziu i bën thirrje Vetëvendosjes për kompromis politik: Pa marrëveshje s’ka qeverisje
Foto: Laura Hasani

Ismet Kryeziu i bën thirrje Vetëvendosjes për kompromis politik: Pa marrëveshje s’ka qeverisje

Aktuale August 19, 2025 - 15:35

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, përms një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar në lidhje me situatën politike të krijuar pas zgjedhjeve, duke u bërë thirrje drejtpërdrejt Lëvizjes Vetëvendosje që të ulet në tavolinë me subjektet e tjera politike dhe të kërkojë marrëveshje për konstituimin e institucioneve.

Sipas Kryeziut, edhe pse Kushtetuesja i ka njohur LVV-së të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit si subjekt fitues, kjo nuk përjashton nevojën për kompromis dhe konsensus politik, raporton Zeri.info.

Ai theksoi se funksionalizimi i institucioneve varet nga gatishmëria për marrëveshje dhe bashkëpunim ndërpartiak.

Postimi i plotë:

Edhe pse Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtën LVV-së si subjekt i parë për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, kjo nuk e përjashton nevojën për konsensus dhe marrëveshje politike. Në këtë moment, detyrimi politik për LVV-në është i qartë: të ulet në tavolinë me subjektet e tjera, të negociojë dhe të gjejë një personalitet që mund të marrë besimin dhe votën e deputetëve, duke i hapur rrugë konstituimit të Kuvendit.

Problemi është se LVV-ja këtë të drejtë shpesh e ka trajtuar si privilegj absolut, duke injoruar faktin se sistemi ynë proporcional është i ngritur mbi kompromisin dhe marrëveshjen politike. Asnjë parti nuk mund të qeverisë e vetme dhe askujt nuk i jepet pushtet i pakushtëzuar. Pa kompromis, nuk ka as Kuvend, as qeverisje. Kompromisi është parimi që garanton funksionimin e institucioneve – nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, te presidenti, ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te përfaqësimi i komuniteteve.

Prandaj, LVV-ja duhet të kuptojë se ndryshimi i qasjes është i domosdoshëm. Çdo e drejtë kushtetuese që i jepet, nëse nuk mbështetet me gatishmëri për marrëveshje, mbetet vetëm një hap formal dhe i pamjaftueshëm për të garantuar funksionalitetin e institucioneve.