Komuna e Prishtinës e prerë: S’ka stacion te Xhamia e Llapit për autobusët nga Podujeva
Foto: Laura Hasani

Komuna e Prishtinës e prerë: S’ka stacion te Xhamia e Llapit për autobusët nga Podujeva

Aktuale August 19, 2025 - 10:47

Gjatë ditës së sotme para objektit të Komunës së Prishtinës kanë protestuar përfaqësuesit e Shoqatës së Autobusëve të Podujevës.

Kërkesa e tyre e vetme është kthimi i stacionit te Xhamia e Llapit, siç ka qenë në të kaluarën, raporton Zeri.info.

Mirëpo, një gjë të tillë po e kundërshton Komuna e Prishtinës.

Donat Lushaku, drejtor i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se një kërkesë e tillë nuk mund të realizohet.

Image

“Shoqata e autobusëve të Podujevës ka vijuar me grevë, por tashmë pas njoftimit të Policisë dhe vendimit me shkrim, greva e formës së kaluar nuk do të bëhet në kuptimin e bllokimit të trafikut, apo shiritit të caktuar në zona të caktuara të qytetit. Komuna do të vazhdojë bashkë me inspektoratin e saj dhe Policinë të marrë masa ligjore ndaj të njëjtëve dhe kësisoj qarkullimi brenda qytetit nuk do të lejohet assesi kthimi nga stacioni i ashtuquajtur Xhamia e Llapit jo se jo. Jemi duke tentuar që kërkesat tjera t’i plotësojmë, pra këtë e them në kuptimin se do të ketë mundësi dialogu për dy pika që është pjesa e taksive ilegale, që është edhe preokupim yni, por edhe kërkesë Shoqatës së Autobusëve të Podujevës. Dhe kërkesë tjetër është që disa linja që i ka të kontraktuara Komuna të mos kalojnë në territorin e Podujevës. Gjithsesi Shoqata e Autobusëve të Podujevës duhet të respektojë itinerarin deri në fund, pra të vazhdojë deri te Stacioni i Autobusëve, gjë që nuk po e bën e që po ua pamundëson pastaj qytetarëve të Podujevës të marrin biletën e integruar për ta shfrytëzuar falas në krejt qytetin”, tha Lushaku, raporton tutje “Zëri”.

Ai ka thënë se nuk do të ketë stacion te Xhamia e Llapit, pasi, siç theksoi Lushaku, autobusët e Podujevës për vite të tëra kanë qenë të privilegjuar dhe kjo gjë më nuk do të lejohet sepse, siç tha ai, edhe komunat e tjera mund të kërkojnë që të hyjnë nëpër qytetet dhe kjo do të sillte kaos në trafik.

“Kemi pasur takim me përfaqësuesit e shoqatës të premten, me ftesë të Policisë, ne i kemi dhënë dy propozimet tona, siç i përmenda dy pikat, por qëllimi i tyre është që të rikthehen prapë, pra që të hyjnë te stacioni te Xhamia e Llapit dhe ideja është se ata po thirren në atë që kanë qenë të privilegjuar me vite edhe nuk është marrë askush me këtë çështje dhe nëse edhe ne e lejojmë që Shoqata e Autobusëve të Podujevës, në këtë rast autobusët e atij qyteti që të vendosen brenda përbrenda qytetit (Prishtinë), pastaj do të kemi edhe kërkesa nga qytetet e tjera që do ta bllokonte trafikun tashmë edhe paska të rënduar të kryeqytetit. Kësisoj e kanë itinerarin se ku do të kalojnë, është te Shkolla Model, ‘Rruga e Zagrebit’, vazhdojnë te rruga ‘Tirana’ dhe përfundojnë te Stacioni i Autobusëve”, tha Lushaku. /Zëri

Image