
Aktakuza ndaj zyrtarëve komunalë të Prizrenit, MKRS-ja thërret konferencë për media
Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi, do të mbajë një konferencë për medie në lidhje me aktakuzën e ngritur ndaj dy zyrtarëve të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Konferenca do të organizohet me qëllim të informimit të opinionit publik dhe ofrimit të qëndrimit zyrtar të MKRS-së lidhur me zhvillimet më të fundit në këtë çështje të ndjeshme për trashëgiminë kulturore të vendit.
Prokuroria Themelore në Prizren dje ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, P.B., dhe bashkëpunëtores profesionale në të njëjtën drejtori, E.Th., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, në bashkëkryerje, në lidhje me dhënien e lejeve ndërtimore në zonën ku ndodhej kompleksi kulturor “Saraji i Vjetër”, i cili ishte nën mbrojtje të përhershme si aset i trashëgimisë kulturore.
Sipas aktakuzës, në periudhën janar – prill 2024, dy të pandehurit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin për trashëgiminë kulturore, duke lejuar lëshimin e kushteve ndërtimore, vendimin për rrënim dhe lejen për ndërtimin e një kompleksi banesor mbi objektin historik, i cili është shkatërruar plotësisht. Prokuroria pretendon se veprimet e tyre kanë shkaktuar një dëm të pariparueshëm kulturor, i vlerësuar në mbi 15.9 milionë euro.
“Në kundërshtim me kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore, të pandehurit kanë mundësuar përfitim të dobisë pasurore për investitorin A.Xh., duke mos parandaluar rrënimin e një kompleksi që ishte pjesë e mbrojtjes së përhershme”, thuhet në aktakuzë.
Monumentet në kuadër të kompleksit “Saraji i Vjetër” u rrafshuan vitin e kaluar. Tre muaj pas rrënimit, Ministria e Kulturës përgatiti dosjen e nevojshme dhe kërkoi ndjekje penale për përgjegjësit institucionalë.
Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin në fuqi.