
Trumpi edhe para liderëve evropianë tha se e ndali konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, edhe në takimin e djeshëm që pati me liderët evropianë deklaroi se ka ndalur gjashtë luftëra që prejse është kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë deklarimeve të mëhershme, në këtë listë ai e ka përfshirë edhe ndaljen e një konflikti të mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë.
Kur u pyet nëse do të kërkonte një armëpushim midis Ukrainës dhe Rusisë përpara se të negociohej një marrëveshje e plotë paqeje, Trumpi tha se kishte përfunduar gjashtë luftëra që nga hyrja në detyrë, pa e përmendur fare armëpushimin, shkruan BBC.
“I përfundova këto luftëra pa përmendur as fjalën armëpushim”, deklaroi Trumpi.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, i kishte renditur shtetet për të cilat kishte folur Trumpi.
“Presidenti tani ka përfunduar konfliktet midis Tajlandës dhe Kamboxhias, Izraelit dhe Iranit, Ruandës dhe Republikës Demokratike të Kongos, Indisë dhe Pakistanit, Serbisë dhe Kosovës, si dhe Egjiptit dhe Etiopisë”, kishte thënë Leavitt, transmeton Express.
Konfliktin e mundshëm mes Kosovës dhe Serbisë, Trumpi kishte thënë se e kishte ndalur me paralajmërimin ndaj dy vendeve që nëse shkonin drejt asaj rruge, nuk do të mund të bënin tregti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndryshe, pas kthimit nga vizita në SHBA, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se në fund të muajit maj ka marrë informacione të reja lidhur me planet e Serbisë për përshkallëzim.
“Me konkretisht në fund të muajit maj kemi marrë informacione të reja specifike lidhur me veprimet e Serbisë në kufi me Kosovën. Menjëherë kam pas takime me institucionet e sigurisë që më raportojnë si president. Menjëherë kam ndarë këto informata me aleatët tanë të sigurisë duke kërkuar mbështetjen e tyre për ta ndalur përshkallëzimin e planifikuar nga ana e Serbisë”, ka deklaruar Osmani.