
KFOR-i amerikan me helikopterë ndihmon në shuarjen e zjarreve në Gjakovë
Forcat ajrore amerikane të caktuara në Komandën Rajonale – Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë asistuar Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave të Kosovës në përballjen me zjarret në komunën e Gjakovës.
Dy helikopterë të tipit UH-60 Black Hawk, të pajisur me sisteme “Bambi Bucket”, kanë kryer disa hedhje ajrore të ujit për të ndihmuar në lokalizimin e flakëve që po rrezikonin komunitetet dhe infrastrukturën lokale.
Gjatë një periudhe pesëorëshe, ekuipazhet kanë realizuar 12 hedhje, duke shpërndarë mbi 2,500 litra ujë në zonat e prekura.“Këto përpjekje tregojnë aftësinë e KFOR-it për të reaguar shpejt, brenda mundësive dhe kapaciteteve, ndaj emergjencave dhe riafirmojnë përkushtimin e tij të palëkundur për mbrojtjen e komuniteteve lokale dhe mbështetjen e autoriteteve civile”, ka njoftuar KFORI.Misioni shtoi se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR ka theksuar se punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si përgjegjës për sigurinë.