Këshilli i Prindërve kritik për metodologjinë të subvencionimit të teksteve

Këshilli i Prindërve kritik për metodologjinë të subvencionimit të teksteve

Aktuale August 18, 2025 - 20:58

Viti i ri shkollor po afrohet, prindërit dhe nxënësit po përballen sërish me sfidën e teksteve mësimore. Këshilli i Prindërve i Kosovës ka kritikuar metodologjinë aktuale të subvencionimit, duke thënë se ajo ka sjellë mungesë librash, radhë të gjata dhe shpenzime shtesë për familjet. Ata kërkojnë rikthimin e modelit të mëparshëm, kur librat siguroheshin e shpërndaheshin nga vetë Ministria e Arsimit.Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, prindërit në Kosovë po përballen sërish me sfidën e teksteve shkollore. Ndërsa disa prej tyre kanë zgjedhur t’i blejnë librat e rinj, të tjerë do të vazhdojnë t`i përdorin tekstet e gjeneratës së kaluar, të cilat shpesh kthehen në gjendje jo të mirë.

“Librat i kanë pranuar të gjeneratës së kaluar. Vajza i ka lënë në dollap dhe ende nuk i kemi parë gjendjen e tyre. Nëse janë në rregull, do t’i mbajmë. Nëse janë të dëmtuar, do të detyrohemi t’i blejmë”, tha prindja Zana Mustafa.

Drejtori i shkollës “Emin Duraku” në Prishtinë, Visar Osmani, thotë se deri më tani vetëm gjysma e nxënësve i kanë kthyer librat, ndërsa shumë prej tyre janë në gjendje të dëmtuar.

“Është e mirë që cikli i ulët, klasat 1 deri në 5, subvencionohet edhe këtë vit. Por, sipas udhëzimit administrativ, librat e gjeneratës së kaluar duhet të kthehen e të përdoren sërish. Ky është një hendikep, sepse jo të gjithë nxënësit janë të kujdesshëm me librat. Tek ne, rreth 50% janë kthyer, por një pjesë e madhe janë të dëmtuar, ndërsa fletoret janë të mbushura. Kjo krijon demotivim për nxënësit e rinj, edhe pse subvencionimi ndihmon, shumë familje janë të detyruara t’i blejnë tekstet e reja me shpenzime vetanake”, theksoi ai.

Këshilli i Prindërve ka kritikuar ashpër metodologjinë aktuale të subvencionimit të teksteve shkollore, duke e cilësuar joefikase dhe problematike. Sipas tyre, subvencionimi nuk mbulon të gjitha shpenzimet.

Sipas këshillit, ka mungesë librash në librari dhe radhë të gjata, në disa raste, librat sigurohen vetëm pjesërisht edhe pas fillimit të vitit shkollor. Ndërsa përdorimi i librave nga gjeneratat e kaluara shpesh i detyron prindërit të blejnë libra të rinj me shpenzime vetanake.

Këshilli kërkon kthimin e metodologjisë së mëparshme, ku librat bliheshin nga MASHT-i dhe shpërndaheshin nëpër shkolla, duke e vlerësuar atë si metodën më të suksesshme, më të lirë dhe më praktike.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka njoftuar se aplikimi për subvencionim të teksteve është hapur në platformën “e-Kosova”. Prindërit do t`i përfitojnë 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në të 5-ën, për blerjen e teksteve dhe të materialeve mësimore, si dhe 80 euro për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9, për fletoret e punës dhe materialet mësimore.